Barcelona ka marrë një fitore spektakolare në kuadër të xhiros së 27-të në elitën e futbollit spanjoll La Liga.
Katalunasit kanë triumfuar në udhëtim te Elche me rezultat të thellë 4-0, teksa kanë ngritur në 15 pikë diferencën e pikëve me Real Madridin që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Kjo fitore e afron edhe më shumë me titullin gjigantin katalunas, teksa trajneri Xavi Hernandez është shprehur shumë i lumtur me atë që dhuruan futbollistët e tij në fushë.
“Ishte një mbrëmje shumë e mirë për Barçën, luajtëm në mënyrën e duhur nga fillimi deri në fund”.
“Këtë herë në fushë zbriti një skuadër me disa lojtarë të cilët nuk kanë pasur mjaftueshëm minuta përgjatë sezonit dhe jam i lumtur sepse zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Më bëhet qejfi sepse jemi një skuadër që lufton për të mirën e përbashkët”, tha Xavi.
Tutje trajneri katalunas ka thënë se fitorja i afron edhe më shumë te titulli, derisa është i gëzuar edhe për mos pranimin e golit pasi kanë treguar se kanë një mbrojtje të fortë.
“Tani jemi pranë objektivit, aktualisht jemi me 15 pikë avantazh. Jam i lumtur edhe për arsyen se pësuam shumë pak goditje gjatë ndeshjes, por edhe përgjatë sezonit e kemi treguar se jemi të fortë në mbrojtje”.
“Pavarësisht se kush luan në fushë, ia dalim të paraqitemi mirë”, deklaroi trajneri katalunas i Barcelonës. /Telegrafi/