Telegrafi

Xavi i kënaqur me punën e Barcelonës në afatin e transferimeve të verës

Trajneri i Barcelonës, Xavi është i kënaqur me punën e drejtuesve të klubit në afatin kalimtar të verës.

Xavi ka vlerësuar se si skuadra e tij e Barcelonës po arrin në trofeun Joan Gamper, ndeshja e fundit përpara se La Liga të fillojë javën e ardhshme kundër Rayo Vallecano.

Pumas janë kundërshtarët për ndeshjen e sotme (e diel), në të cilën Barcelona do të prezantohet para tifozëve vendas.

Trajneri katalunas është i kënaqur me përgatitjen parasezonale dhe me skuadrën që ka.

Lexo po ashtu Barcelona ende nuk mund të regjistrojë lojtarët e rinj, La Liga nuk ua aprovon financat

Joan Laporta deri më tani ka mbyllur pesë nënshkrime: Andreas Christensen, Franck Kessie, Raphinha, Jules Kounde dhe Robert Lewandowski, si dhe ka siguruar dy rinovime me Ousmane Dembele dhe Sergi Roberto.

“Skuadra është shumë e mirë, ne kemi një ndjenjë shumë të mirë nga seancat stërvitore”, ka shpjeguar fillimisht Xavi në konferencën e tij për shtyp.

“Të gjithë po stërviten shumë mirë, me intensitet, me ritëm të mirë. Turneu [parasezonal] ishte shumë pozitiv. Jemi stërvitur këtë javë, në vapë, por kjo është ajo që duhet të bëjmë”.

“Kemi gjeneruar shumë entuziazëm, e pashë dje në prezantimin e Robertit (Lewandowskit), edhe ne kemi shumë entuziazëm”.

“Objektivi këtë vit është të fitojmë tituj dhe të luajmë futboll të mirë. Ne duam t’i bëjmë njerëzit të lumtur, ata e meritojnë atë”, përfundoi trajneri i Barçës. /Telegrafi/