Site icon Telegrafi

Xavi i kënaqur me ndryshimin e madh të sistemit VAR në La Liga

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka qenë ndër të parët që ka reaguar pas një ndryshimi në sistemin VAR, ku tashmë gjyqtarët do t’i bëjnë publike vendimet që marrin.

Sot (e martë) u njoftua se La Liga dhe Federata e Futbollit të Spanjës kanë arritur një marrëveshje për të publikuar audion dhe imazhet nga diskutimet mes dhomës së VAR-it dhe gjyqtarit, sa herë që një vendim të rishikohet.

Për këtë u pyet edhe Xavi në konferencën për shtyp par ndeshjes me Almerian e cila është e fundit për blaugranasit për vitin 2023.

“Fantastike, fantastike. Është një hap para në botën e futbollit. Është shumë pozitive që njerëzit e shohin se çfarë po ndodh, ata do ta kuptojnë se çfarë vendimi do të merr gjyqtari. Ne duhet të tregohemi njerëzor me gjyqtarët dhe ti ndihmojmë ata. Është e vështirë të jesh një gjyqtar. Çdo ndihmë që mund t’iu bëjmë është e mirë. Është një lajm i mirë për futbollin, jam i lumtur”, ka thënë Xavi.

Xavi përsëriti edhe një herë tjetër qëndrimin e tij, kur u pyet nëse kjo mund të ndihmojë komunikimin mes trajnerëve dhe gjyqtarëve.

Lexo po ashtu A po e mbështesin futbollistët Xavin? Pedri thyen heshtjen dhe tregon qëndrimin e futbollistëve

“Unë jam shumë i lumtur me ardhjen e këtij rregulli. Nëse tregohemi më njerëzor me gjyqtarët dhe ata shpjegojnë vendimet e tyre, kjo është pozitive për futbollin”, ka thënë Xavi.

Më herët, Xavi kishte kërkuar jo vetëm që audio të publikohej kur bëhet konsultimi me VAR-in, por gjithashtu edhe gjyqtarët të shpjegojnë vendimet e tyre pas ndeshjeve.

Në rast se ky ndryshim do të ndikojë në zbutjen e pakënaqësive dhe konspiracioneve në Spanjë është një tjetër çështje, por në fund të fundit shfaq një ambicie dhe dëshirë, për të përmirësuar gjërat./Telegrafi/

Exit mobile version