Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, thuhet se ka nxjerrë një plan për të zëvendësuar Robert Lewandoëski i cili për shkak të lëndimit nuk do të jetë i gatshëm për El Clasico.
Sulmuesi 35-vjeçar u desh të zëvendësohej gjatë fitores 1-0 të Barcelonës në Ligën e Kampionëve ndaj Portos, pasi ai ra në tokë pas një dueli të ashpër me David Carmo. Barcelona më vonë dha një përditësim mjekësor duke thënë se LewandoWski ka marrë një ndrydhje në kyçin e majtë të këmbës.
Alarmet filluan të bien në klubin katalanas pasi dyshohet se ai mund të jetë potencialisht jashtë fushës për një muaj që do të thotë se polaku nuk do të jetë i disponueshëm për El Clasico-n e parë të sezonit që është planifikuar të luhet më datë 28 tetor.
Siç raportojnë mediat katalanase, Xavi tashmë është duke punuar për një zgjidhje të mundshme që mund ta shohë atë të ndryshojë formën dhe formacionin e ekipit.
Menaxheri mund të përdorë Joao Felixin si numër nëntë dhe të luajë me Ferran Torres në krahë.
Xavi beson se inkuadrimi i Felixit në atë pozicion, do ta ndihmonte atë të kishte më shumë posedim topit në mesfushë, gjë që do ta ndihmonte ekipin të diktonte tempon e lojës.
Është thënë gjithashtu se Xavi mund t’i japë një mundësi sensacionit të ri Fermin Lopez në sulm si një zëvendësim direkt i Lewandowskit. Barcelona luan kundër Granadas të dielën, ku Xavi mund të jetë i prirur të provojë opsione të ndryshme në sulm për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme./Telegrafi/