Site icon Telegrafi

Xavi flet para ndeshjes së rëndësishme përballë Sevillës: Na duhen tri pikët, do të rrezikojmë

Barcelona do të përballet në udhëtim te Sevilla në ndeshjen e mbetur nga xhiro e katërt e La Ligas.

Për katalunasit kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme me një kundërshtar që është 10 pikë para në renditje.

Para kësaj përballje ka folur trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez duke thënë se është një ndeshje shumë e rëndësishme që vlen tri pikët dhe se skuadra e tij do të rrezikojë.

“Sevilla është një ekip i madh, një skuadër spektakolare. Gjithsesi kjo ndeshje vlen tre pikë, si Elche. Do bëjmë presing lart, do rrezikojmë”.

“Është modeli ynë i lojës dhe duam ta mbajmë atë. Gjithsesi Sevilla do të luajë në sulm. Do guxojmë pa parë kë kemi përballë. Angazhimi është maksimal nga të gjithë, nga veteranët te lojtarët e rinj të akademisë. Jemi duke u rritur”, tha Xavi.

Tutje i pari i klubit katalunas foli edhe për distancën që ka skuadra e tij me Real Madridin.

“Jemi 16 pikë larg tyre, një diferencë tmerrësisht e madhe. Gjithsesi kanë mbetur edhe shumë ndeshje në kampion dhe nuk përjashtohet asgjë. Është çështje rezultatesh, sa do dimë të jemi konkurrues, të mbrojmë më mirë e të tjera gjëra”, tha Xavi.

Sevilla dhe Barcelona takohen të martën mbrëma me fillim nga ora 21:30 në Estadio Ramon Sanchez Pizujan. /Telegrafi/

Exit mobile version