Site icon Telegrafi

Xavi fillon punën, takohet me disa nga lojtarët: Vendos rregulla dhe ua bën të qartë se çfarë stili të lojës do të luajnë

Xavi Hernandez ka marr detyrën si trajner për herë të parë te Barcelona, ndërsa të martën ai është prezantuar me ekipin e parë.

Lojtarët u ftuan në ‘Ciutat Esportiva’ më herët se normalisht, që në mëngjes në ora 9:00, ku i pranishëm ishte edhe Joan Laporta.

Gjatë prezantimit të tij në ‘Camp Nou’ të hënën, Xavi e bëri të qartë se ai synonte të vendoste rregulla, me rregullore dhe disiplinë brenda skuadrës, në mënyrë që të konkurronte për nivelin më të lartë.

Ky synim ishte i qartë edhe të martën, pasi ai mbërriti pak pas orës 8:30 për të përgatitur seancën stërvitore që do të fillonte në ora 11:00.

Shumë lojtarë janë të ftuar nëpër kombëtaret e tyre, por aty ishin emra si Inaki Pena, Neto, Oscar Mingueza, Samuel Umtiti, Riqui Puig dhe Luuk de Jong.

Xavi ftoi edhe lojarë nga Barcelona B në këtë seancë stërvitore.

Stili dhe rregullat

Në një takim të relaksuar me lojtarët, Xavi shpjegoi se çfarë pret për sa i përket rregullave dhe sjelljeve.

Ai kërkon që skuadra të bëjë ngrënien së bashku, pastaj vjen pushimi dhe gjumi i mirë. Kërkesë e tij po ashtu është që të kalohet më shumë kohë në ambientet e klubit për të ushtruar. Do të ketë po ashtu edhe gjoba, sidomos për ata që vijnë me vonesë.

Për sa i përket filozofisë së tij të lojës, Xavi kërkon posedim të topit, lojë pozicionale, presion të lartë dhe ndërtimin e lojës nga prapa.

Ndeshja e parë e Xavit si trajner te Barcelona do të jetë të shtunën, më 20 nëntor, kundër Espanyol në Camp Nou, ku të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta, me nga 17 pikë.

Stërvitja e radhës do të jetë të mërkurën, po në orën 11:00, siç do të ndodhë të enjten dhe të premten, ndërsa lojtarët do të kenë pushim në fundjavë. /Telegrafi/

Exit mobile version