Telegrafi

Xhaferi: Mundemi në mënyrë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe konstruktive të diskutojmë për zhvillimin e platformave të reja për bashkëpunim

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi po qëndron për vizitë në Kazakistan ku merr pjesë në Konferencën e 4-të të kryetarëve të kuvendeve të Euroazisë me temë “Euroazia më e madhe: Dialog. Besim. Partneritet”, njofton Telegrafi Maqedoni.

Xhaferi gjatë konferencës mbajti fjalim ku theksoi se ne mundemi në mënyrë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe konstruktive të diskutojmë për zhvillimin e platformave të reja për bashkëpunim, të vendosim partneritete të reja multilaterale, të gjejmë se çka është ajo që na prek njëlloj dhe cila do të ishte përgjigjja e përbashkët më përkatëse ndaj kundërthënieve që paraqiten ndërmjet shteteve të ndryshme, si edhe ballafaqimi kolektiv me sfidat me të cilat ballafaqohet secili shtet individualisht në planin global.

“Vijmë nga shtete të ndryshme, me rregullime të ndryshme shtetërore, me marrëdhënie të ndryshme bilaterale dhe multilaterale ndërmjet nesh, respektivisht korniza ligjore marrëveshjesh të cilat jo gjithmonë janë të vendosura me reciprocitet, ose po nuk janë vendosur aspak. Ato marrëdhënie të pabarabarta, prodhojnë edhe zhvillim të pabarabartë të rajoneve. Përgjegjësia jonë si ligjvënës, është të gjejmë dhe të mundësojmë mënyra për mbrojtjen e interesave të ndërsjella të shteteve tona, dhe të gjemë moduse për zhvillimin e lirë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, për bashkëpunimin shkencor, kulturor, arsimor, mjekësor, turistik dhe çdo bashkëpunimi tjetër ndërmjet vendeve”, theksoi Xhaferi.

Xhaferi shtoi se Kemi aq shumë të ofrojmë si vende, kemi aq shumë të mësojmë prej njëri tjetrit, aq shumë të ndajmë bashkë. Para së gjithash, kemi potencial aq të madh i cili akoma nuk është shfrytëzuar as gjysma./Telegrafi/