Xabi Alonso e ka krahasuar talentin e Bayer Leverkusenit, Florian Wirtz, me Lionel Messin.
Mesfushori i talentuar nuk është paraqitur ende për skuadrën gjermane këtë sezon për shkak të një lëndimi të rëndë në gju.
Por, trajneri spanjoll nxiti rikthimin e afërt të Wirtz në ekipin e parë me Leverkusen duke lavdëruar 19-vjeçarin dhe duke e krahasuar atë me Messin, i konsideruar gjerësisht si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
“Ka lojtarë të mirë dhe ka lojtarë që duken mirë në fushë. Lojtari që duket mirë bën gjëra të këndshme, por jo domosdoshmërisht efikase”, ka deklaruar Xabi.
“Pse Messi është kaq i mirë? Sepse ai e di se si dhe kur të bëjë pasime të thjeshta. Messi thotë: ‘Je në një pozicion më të mirë? Ja ku e ke topin!’”.
“Nuk bëhet fjalë gjithmonë për të bërë lëvizjen më të shkëlqyer, por më të mirën dhe më të zgjuarin. Floriani mund ta bëjë këtë. Kjo është arsyeja pse ai është kaq i mirë”, ka shtuar më tej trajneri i Leverkusenit.
Reprezentuesi gjerman shënoi 10 gola në 31 paraqitje në të gjitha garat sezonin e kaluar, por mori një lëndim në gju në mars, i cili e ka mbajtur jashtë që atëherë.
Por, ai do të rikthehet në ndeshjen e parë të Leverkusenit pas pushimit dimëror të Bundesligës, një ndeshje jashtë fushe kundër Borussia Monchengladbach më 22 janar. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=Oi5ceME3xm0