Telegrafi

Wuhani po i kthehet normalitetit, por virusi vazhdon të përhapet nëpër Kinë dhe vende tjera të botës

Në Kinë është rritur sërish numri i të infektuarve me coronavirus, ku pas katër ditëve që po cilësoheshin si ditët me numrin më të vogël të prekurve – ka ndodhur ajo që më së shumti i janë frikësuar të gjithë.

Në Kinë janë konfirmuar 24 raste të reja me coronavirus, që do të thotë 19 më shumë krahasuar me ditët e mëparshme, ka bërë të ditur Komisioni Nacional për Shëndetësi, transmeton Telegrafi.

Nga ky numër, në 10 raste virusi është diagnostifikuar te personat që kishin hyrë në Kinë, që i bie se numri total i të infektuarve që kanë ardhur nga jashtë është rritur në 79, raporton Reuters.

Në Pekin dje janë zbuluar gjashtë raste të reja me coronavirus, në mesin e të cilëve ishin disa që kishin udhëtuar nga Italia dhe SHBA-të.

Situata në provincën kinez Hubei, epiqendra e epidemisë po vazhdon të stabilizohet, kështu që është dita e gjashtë me radhë që po shënohen një numër i vogël i rasteve të reja.

Në Wuhan janë regjistruar vetëm 13 raste të reja, që ka qenë edhe numri total i të prekurve në provincën Hubei. E shumica e kompanive të mëdha kanë rifilluar punën në këtë qytet, kanë njoftuar autoritetet lokale në Hubei.

Numri total i të prekur në Kinë nga e shtuna është 80.778 derisa i atyre të vdekur ka shkuar në 3.158. /Telegrafi/