Site icon Telegrafi

WSJ: SHBA planifikon tërheqjen e trupave nga Siria deri në fund të prillit

Pentagoni planifikon të realizojë tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Siria deri në fund të muajit prill, ka raportuar The Wall Street Journal.

Në raportin e publikuar më 7 shkurt, është thënë se tërheqja do të ndodhë ndonëse administrata amerikane duhet ende të krijojë plane për mbrojtje të luftëtarëve kurdë, të cilët mund të sulmohen pas largimit të prezencës amerikane.

Raporti është bazuar në disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të paidentifikuar të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, si përgjigje ndaj raportit, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë afat të caktuar për tërheqje të forcave” nga Siria.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka refuzuar të komentojë për këtë çështje, përcjell rel.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka befasuar ligjvënësit amerikanë dhe aleatët ndërkombëtarë në muajin dhjetor, duke njoftuar se planifikon të tërheqë 2,000 trupa amerikane nga Siria, vend në të cilin ata përmes ndihmës së kurdëve, kanë luftuar militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Kritikët kanë thënë se hapësira që mund të shkaktojë tërheqja e trupave amerikane në Siri, mund të rezultojë me kryengritje të militantëve të IS-it apo Al-Kaidës, në këtë shtet apo në Irakun fqinj.

Zyrtarët amerikanë kanë arritur pak përparim sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshjeje me forcat turke për të parandaluar ndonjë sulm kundër kurdëve në Siri.

Ankaraja i konsideron këta kurdë të lidhur me kryengritësit po kurdë në Turqi.

Exit mobile version