Site icon Telegrafi

“WSJ”: SHBA dhe BE, pa Gjermaninë, mbështesin shkëmbimin e territoreve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po bashkërendojnë veprimet drejt mbështetjes së një plani, sipas të cilit dy vendet e Ballkanit [Kosova dhe Serbia] do të rishikojnë kufirin e tyre përgjatë vijave etnike, duke përjashtuar Gjermaninë në këtë plan, fuqinë më me ndikim në kontinent, e cila refuzon këtë qasje, thuhet një dokument konfidencial.

Një memorandum i fundit, i hartuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së mbi mënyrën e zgjidhjes së një mosmarrëveshje dhjetëvjeçare midis Serbisë dhe Kosovës, të cilën e ka parë ‘The Wall Street Journal’ (WSJ), tregon se organi ekzekutiv i BE-së në thelb ka miratuar argumentin e Uashingtonit dhe ka hedhur poshtë atë të Gjermanisë.

Ndërsa, marrëveshja tregon se Evropa dhe SHBA-ja vazhdojnë të punojnë ngusht së bashku në iniciativat e politikës së jashtme që ndikojnë në rajon, përçarja me Gjermaninë gjithashtu tregon gatishmërinë e Uashingtonit për të injoruar kundërshtimet nga fuqia kryesore e kontinentit në oborrin e vet, përcjell Telegrafi.

Në dokument, BE-ja shpreh mbështetje për një plan të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mbështetur nga administrata e presidentit Donald Trump, për të ri-kufizuar kufijtë në Evropën Juglindore si një mënyrë për të siguruar shtetësinë e plotë për Kosovën e vogël dhe të izoluar. Dështimi i kësaj, thotë dokumenti, atëherë do të bënte që vendi me dy milionë banorë mund të hyjë në kriminalitet, konflikt e në ekstremizëm islamik.

Serbia, nga e cila Kosova u nda në vitin 2008 pas një konflikti që la 13 mijë njerëz të vdekur, kurrë nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Asnjëri nga vendet nuk mund t’i bashkohen BE-së, derisa të dy vendet të kenë arritur një zgjidhje. Pesë shtete të BE-së, si dhe Rusia, ende nuk e kanë njohur Kosovën, shkruan “WSJ”.

Në javët e fundit, të dy vendet kanë diskutuar një plan për të shkëmbyer territor përgjatë kufirit të tyre të përbashkët, duke pasqyruar më mirë modelet e zgjidhjes së problemit mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq favorizojnë një shkëmbim, edhe pse njerëzit pranë tyre thonë se nuk pajtohen në disa zona, siç është qyteti i ndarë i Mitrovicës. Vuçiqi po ashtu përballet me kundërshti brenda Serbisë. “Serbët vetëm duan të humbin gjithçka”, tha Vuçiqi gjatë kësaj jave. “Ata dëshirojnë të qajnë për diçka që ka mbetur prapa, sesa të mbajnë diçka në duart e tyre”.

Nga ana e tyre, krerët gjermanë u kundërvunë me shkëmbimin, nga frika se mund të rindeznin separatizmin etnik në vende të afërta si Bosnja dhe Maqedonia dhe ta kthenin rajonin në konflikt.

“Kufijtë e rajonit janë të pandryshueshëm”, tha muajin e kaluar kancelarja gjermane, Merkel, qëndrim ky i fuqizuar nga zëdhënësi i saj të mërkurën që lamë pas.

“Pozicioni ynë ka qenë konsistent dhe në përputhje me shqetësimet e udhëheqësve të të gjitha vendeve fqinjë, të cilët kanë shprehur të gjithë shqetësimin se rishikimi i kufijve mund të hapë Kutinë e Pandorës në një rajon ende të paqëndrueshëm”, tha Merkel, përcjell Telegrafi.

Luksemburgu dhe Britania gjithashtu kanë shprehur rezerva lidhur me planin.

Shtetet e Bashkuara i kanë injoruar kundërshtimet gjermane, siç kanë bërë edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së për marrëdhënie me jashtë, me një memorandum që thotë se rishkrimi i kufijve do të ndihmonte më shumë në shuarjen sesa në ndezjen e paqëndrueshmërisë rajonale.

“Për herë të parë në historinë e tyre, Serbia dhe Kosova lirshëm do të pajtohen/zgjidhin dallimet e tyre përmes dialogut”, thotë dokumenti. Nëse këto bisedime dështojnë, atëherë Kosova “do të bëhet një konflikt i ngrirë dhe kjo do të thoshte se në fund të fundit pashmangshëm do të shpërthente”.

Vendi me shumicë mbizotëruese myslimane mund të bëhet “toka më pjellore për kriminalitet dhe radikalizëm”, sipas memorandumit, i cili u hartua javën e kaluar për të adresuar një kërkesë nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Wess Mitchell, përgjegjës për çështjet evropiane, për të krahasuar BE-në dhe pozicionet amerikane në këtë çështje.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe ambasada e saj në Beograd nuk kanë pranuar të komentojnë për këtë. Muajin e kaluar, këshilltari i sigurisë kombëtare të presidentit Donald Trump, John Bolton, tha se nuk ka asnjë shqetësim për shkëmbim territorial.

Kundërshtimi publik i Merkel për rivendosjen e kufijve ka shkaktuar frustrime në Bruksel.

“Kush mendon se ështëqeveria gjermane, që kundërshton menjëherë negociatat mes dy vendeve sovrane?” Tha një zyrtar i lartë i BE-së i afërt me diskutimet. “Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm nga Kosova dhe Serbia, dhe jo nga përfshirja e jashtme”, përcjell Telegrafi.

I ndërtuar kryesisht nga eshtrat e perandorive osmane dhe të Habsburgëve, rajoni modern i Ballkanit është një mozaik i ndërlikuar i identiteteve gjuhësore, kulturore, etnike dhe fetare, që nuk përshtaten gjithmonë me kufijtë e sotshëm kombëtar.

Kosova dhe Serbia ishin të dyja pjesë e ish-Jugosllavisë, të cilat nisën një luftë të egër në fillim të viteve ’90-ta pas rënies së Perdes së Hekurt.

Ndërsa Berlini tani insiston se kufijtë evropianë janë të shenjtë. Gjermania ka luajtur rol kyç në përshpejtimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, kur njohu pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë më 1991, para shumicës së fuqive tjera botërore.

Rreth 140 mijë persona u vranë në luftërat që pasuan, ndërsa ushtritë etnike luftuan për kontrollin e qyteteve. Kjo luftë e ktheu SHBA-në në fuqinë kryesore ushtarake dhe politike në rajon, pasi presidenti Bill Klinton nisi sulme ajrore dhe largoi trupat serbe jashtë Kosovës.

Në vitet që pasuan, fokusi i Uashingtonit u zhvendos diku tjetër. Kroacia dhe Sllovenia, të dyja ish-pjesët e Jugosllavisë, tashmë janë pjesë e BE-së dhe shtetet e tjera kanë filluar procesin e bashkimit, duke forcuar ndikimin e Gjermanisë në Ballkan.

Tani, SHBA-ja po riinstalon veten në rajon, thonë analistë dhe zyrtarë. Vitin e kaluar, solli Malin e Zi në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior dhe po përpiqet shumë që shteti i ardhshëm i Maqedonisë të bashkohet edhe me aleancën ushtarake.

“Mbështetja aktive e Uashingtonit për një shkëmbim toke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vetëm një dëshmi e fortë e angazhimit të SHBA-së për të stabilizuar rajonin”, tha Bekim Çollaku, shefi i Kabinetit të Presidentit Thaçi.

“Unë jam i sigurt se në fund do të mbizotërojmë”, tha ai mbi hezitimin e Gjermanisë. /Telegrafi/

Exit mobile version