Brendi i njohur Women’Secret, pjesë e Albi Group, ka dhuruar 100 palë sutjena onkologjike për pacientet e Spitalit të Kirurgjisë Torakale, në kuadër të fushatës për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, që shënohet gjatë muajit tetor, i njohur gjithashtu si Muaji Rozë.
Ky donacion ka për qëllim mbështetjen e grave që përballen me sëmundjen e kancerit të gjirit, duke ofruar mbështetje praktike dhe duke promovuar rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit.
Produktet e dhuruara nga Women’Secret janë të dizajnuara posaçërisht për të përmbushur nevojat e grave që kanë kaluar nëpër procedura kirurgjike si pjesë e trajtimit të kancerit.
Në këtë akt solidariteti, pjesë e stafit të Women’Secret dhe Albi Group morën pjesë personalisht në dorëzimin e donacionit, duke përçuar mesazhin se kujdesi për shëndetin e grave është një përparësi e përbashkët e të gjithëve.
“Si një brend i përkushtuar ndaj grave, ne e ndjejmë të rëndësishme që të kontribuojmë në mënyrë konkrete për t’i ndihmuar ato që përballen me sfidat e kancerit të gjirit. Ky është një gjest modest, por shpresojmë që të sjellë një ndihmë të vogël në procesin e shërimit,” – deklaruan përfaqësueset nga Women’Secret.
Women’Secret dhe Albi Group mbetet e angazhuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin e grave dhe do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre.