Telegrafi

Wolverhamptoni e befason Cityn, e mposht kampionin në Etihad

(Foto: Alex Livesey/Getty Images/Guliver)

Me dy gola të shënuar, Wolverhampton Wandereres ka fituar përballë Manchester Cityt në ndeshjen e javës së tetë në Ligën Premier që u zhvillua të dielën në Etihad Stadium.

Në minutat e para të ndeshjes, mysafirët patën një mundësi të mirë shënimi kur Joao Moutinho dërgoi një pasim të mirë drejt zonës duke e nxjerrë Patrick Cutronen në rast të mirë, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë.

Skuadra vizitore vazhdoi të rrezikonte. Goditja e Raul Jimenez u bllokua, por Cutrone doli në rast, megjithatë edhe goditja e tij u ndal.

(Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Raul Jimenez u tregua përsëri i rrezikshëm në dy raste, ndërsa mundësinë e vetme të mirë për vendasit në fraksionin e parë e pati Raheem Sterling, goditja e të cilit u ndal nga Rui Patricio.

Në pjesën e dytë, David Silva i pati dy raste të njëpasnjëshme, mirëpo dështoi të tregohej i saktë. Derisa një mundësi tjetër e pati edhe Bernardo Silva.

(Foto: Alex Livesey/Getty Images/Guliver)

Mysafirët shkaktuan befasi në Etihad Stadium duke e zhbllokuar rezultatin në minutën e 80-të. Jimenez ishte arkitekti i golit duke e ndërtuar rasti dhe asistoi te Adama Traore, i cili e mposhti portierin Ederson me një goditje në anën e djathtë të portës.

Në minutat shtesë (90’+5), Adama Traore e shënoi edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje dhe e vulosi fitoren e Wolves.

Manchester City mbetet tetë pikë prapa Liverpoolit në garën për titullin e Ligës Premier, ndërsa Wolverhampton Wanderers ka arkëtuar dhjetë pikë dhe pozicionohet në vend të 11-të. /Telegrafi/