Në një intervistë për BBC, Wisner ka thënë se është arritur një gjendje në negociata, në të cilën palët kanë menduar mirë dhe i kanë artikuluar qëndrimet e tyre dhe janë të gatshëm të takohen.
Lidhur me rezultatin e këtyre bisedimeve, Wisner ka thënë: “Unë s’jam as optimist e as pesimist. E di se kemi një punë të rëndësishme për ta kryer dhe këtë do ta kryejmë e nuk do të lëmë asnjë gur pa e luajtur nga vendi”.
Se si do të jetë zhvillimi i mëtejmë i situatës nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më dhjetë dhjetor – Wisner ka shpjeguar: “Unë e di se detyra e treshes, detyra jonë është të përfundojmë punën tonë; më dhjetë dhjetor apo para asaj date ne duhet t’ia dërgojmë konkluzat tona Grupit të Kontaktit dhe sekretarit të përgjithshëm; pas kësaj i përket qeverive sovrane që të vendosin”.
I pyetur nëse kjo do të thotë se çështja kthehet në Këshill të Sigurimit , Wisner është përgjigjur: “Vendimin se si dëshiron të vazhdojë më tej, e merr sekretari i përgjithshëm”.