Telegrafi

Windows 8 Consumer Preview

Versioni i ri testues i Windows 8 përndryshe nuk do të bart etiketën “beta”, por gjithsesi ende do të jetë produkt i papërfunduar i cili shërben kryesisht për testim. Në krahasim me Developer Preview, Windows 8 Consumer Preview bazohet sipas të gjitha gjasave në buildin 8220 ose ndonjë më të ri dhe sjell disa ndryshime, prej të cilave më evidente do të jetë mungesa e butonit Start. Edhe pse aty nuk do të jetë butoni Start, funksionaliteti ende do të jetë në dispozicion me shtypjen e tastit Win në tastierë ose me lëvizjen e miut në skajin e poshtëm të majtë të ekranit. Përveç largimit të butonit Start, arrin edhe seti i ri i ikonave, seti i ri i prapavijave për faqen fillestare Metro, shkurtesat e reja të Charm barit, propozimi i ri për menynë Apps, radhitja e re e Ribbonit dhe tastiera e re për pajisjet touch, por edhe shitorja në të cilën në të ardhmen do të blihen aplikacionet Metro.

Krahas ndryshimeve të përmendura, pritet qëndrueshmëria më e madhe e sistemit dhe më pak probleme dhe bug të cilët janë hasur në versionin Developer Preview dhe në përgjithësi një përvojë më komplete dhe më e këndshme, më afër asaj që mund të pritet në versionin final. Windows 8 është një version shumë i rëndësishëm për Microsoft dhe pritet të jenë themel i platformës moderne Metro, filozofisë së dizajnit dhe ndërfaqes për shfrytëzues që do të unifikoj tërë ekosistemin, telefonat e mençur, tabletët dhe kompjuterët klasik. /Telegrafi/