Sistemet operative Windows 7 dhe Windows 8.1 të Microsoft do të jenë pa përditësime sigurie dhe mbështetje teknike nga 10 janari.
Microsoft Edge 109 është versioni i fundit i shfletuesit që mbështet sisteme operative të vjetruara, por nuk është i vetmi shfletues që “ngre duart” që nga Windows 7 dhe 8.1.
Në tetor të vitit të kaluar, Google njoftoi se më 7 shkurt të këtij viti, Chrome i saj do të përfundojë mbështetjen për sistemet operative të përmendura. Megjithëse të dy shfletuesit do të funksionojnë në pajisjet që i përdorin, përditësimet kryesore të sigurisë dhe veçoritë e reja nuk do të jenë më të disponueshme. Mbështetja për WebView2, një mjet që u mundëson zhvilluesve të fusin përmbajtje të bazuara në ueb në aplikacionet e tyre, gjithashtu do të ndërpritet më 10 janar.
Kjo do të thotë se u ka mbetur shumë pak kohë përdoruesve të makinerive që ende përdorin Windows 7, dhe janë rreth 100 milionë të tilla, për të kaluar në një sistem operativ më të ri ose për t’u përballur me rreziqe sigurie për shkak të përdorimit të një OS dhe shfletuesi të pambështetur.
Sondazhi i tetorit me 27 milionë pajisje Windows zbuloi se më shumë kompjuterë përdornin Windows XP, 7 ose 8 sesa Windows 11.
Megjithatë, duhet thënë se Microsoft ka njoftuar përdoruesit me kohë dhe fundi i mbështetjes për Windows 7 u njoftua për herë të parë në vitin 2020. Përdoruesit që janë ende duke marrë përmirësimet janë në fakt ata që kanë paguar për tre vitet shtesë të arnimeve të sigurisë. /Telegrafi/