Telegrafi

Wimbledon: Serena dhe Venus në gjysmëfinale

Serena tregoi një formë të shkëlqyeshme duke mposhtur kundërshtaren bjelloruse Victoria Azarenka në dy sete (6-2, 6-3), gjatë ndeshjes që zgjati 73 minuta.

Kampionia në fuqi e US Open dhe Australian Open në gjysmëfinale do të përballet me kampionen olimpike Elena Dementieva, e cila shkatërroi italianen Francesca Schiavone në dy sete (6-2, 6-2).

Edhe më me lehtësi për në gjysmëfinale është kualifikuar Venus Williams, e cila mposhti në dy sete polaken Agnieszka Radwanska (6-1, 6-2).

Kampionia në fuqi e Wimbledonit, në ndeshjen e ardhshme do të përballet me numrin një të botës, Dinara Safina, e cila arriti në gjysmëfinale duke mposhtur Sabine Lisicki. Rusja u kthye nga disavantazhi prej një seti, për të fituar në fund 2-1 ndaj gjermanes (6-7, 6-4, 6-1).

Motrat Williams ishin finaliste edhe në edicionin e vitit të kaluar të Wimbledonit, ku triumfoi Venus, si dhe në edicionet 2002 dhe 2003, kur kishte triumfuar Serena.