Site icon Telegrafi

William Walker: Krerët e luftës duhet të largohen nga skena politike, është koha e brezit të ri në Kosovë

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit të Reçakut, në komunën e Shtimes, në rajonet qendrore të Kosovës, hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre.

Të nesërmen, ish drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat, rrëzë një kodre dhe e quajti aktin një masakër të kryer nga forcat serbe.

Në prag të 20 vjetorit të masakrës së Reçakut, Ambasadori William Walker, thotë se i mbetet besnik vlerësimit të tij për ngjarjen, e cila hodhi dritë në atë që po ndodhte në Kosovë dhe që çoi eventualisht në ndërhyrjen e Natos kundër forcave serbe. 20 vjet më pas, ambasadori Walker e sheh situatën në Kosovë si të trazuar dhe idetë e reja në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si të pafavorshme për Prishtinën. Me ambasadorin bisedoi kolegia Rudina Dervishi.

Zëri i Amerikës: Javën që vjen Kosova shënon 20 vjetorin e masakrës së Reçakut, të cilën ju më 16 janar të vitit 1999 e cilësuat krim kundër njerëzimit. Si e kujtoni atë ditë 20 vjet më pas?

William Walker: E kujtoj me aq përpikëri ashtu siç e pashë vetëm disa orë pasi dëshmova rezultatin e masakrës. E sjell shpesh në mendje atë skenë dhe nuk kam ndryshuar asgjë në interpretimin e asaj që pashë apo çfarë e kishte shkaktuar atë.

Zëri i Amerikës: Çfarë rëndësie ka kujtesa ndaj ngjarjeve të tilla?

William Walker: Për mendimin tim, – ndoshta e ekzagjeroj por nuk mendoj ashtu, – ajo që ndodhi në Reçak dhe ngjarjet që pasuan çuan në formimin e Republikës së Kosovës. Ai incident, reagimi im ndaj tij, dhe më pas reagimi i qeverisë së Serbisë ndaj reagimit tim, prodhuan një cunam ndërkombëtar raportimesh për atë që po ndodhte në Kosovë, që çoi pastaj në takimin e ministrave të jashtëm, më pas takimet në Londër, në Rambuje që u pasuan me fushatën e bombardimeve gjë që eventualisht çliroi Kosovën nga kontrolli i Serbisë. Mendoj se është shumë e rëndësishme ta kujtoj sa më shpesh të jetë e mundur – sa herë që ndeshem me informacione të reja kontrolloj për të parë nëse konkluzioni im fillestar ishte i saktë dhe deri më sot, 20 vjet më pas, jam ende i bindur se vlerësimi që dhashë ishte i vërtetë.

Zëri i Amerikës: Vlerësimi juaj shënoi kthesë në qasjen e diplomacisë perëndimore e cila u përfshi në proceset që u paraprinë bombardimeve të NATO-s. Beogradi ju shpalli person të padëshirueshëm dhe ngul këmbë edhe sot se Reçaku u paraqit ndryshe për të krijuar një shkas për bombardimet kundër Serbisë. Si u përgjigjeni këtyre qëndrimeve?

William Walker: Është absolutisht qesharake.Unë e di përse shkova në Reçak atë mëngjes të 16 janarit. Mbërrita aty vetëm disa orë pasi kishte ndodhur masakra. Pashë në mesin e asaj dite të acartë dimri trupat dhe atë që kishte ndodhur ndaj atyre burrave dhe djemve. Qeveria e Beogradit doli që ditën e parë me versione të ndryshme që i përshtaste me atë që mësonte bota për atë ngjarje dhe vazhdimisht ka ndryshuar opionionin e saj. Ata arritën deri aty saqë pretendonin se unë kisha shkuar dhe kisha ndryshuar rrobat e më shumë se 40 viktimave dhe i kisha shpuar me plumba. Këto ishin shpjegime qesharake. Është një nga shumë të tilla të bëra nga Beogradi. Edhe njëherë, unë nuk kam parë asnjë informacion nga burime të besueshme, që të ketë rënë ndesh me vlerësimin tim fillestar të asaj që ndodhi atë natë.

Zëri i Amerikës: Njëzet vjet më pas, kur e mendoni situatën që mbretëronte në Kosovë, a ka qenë e mundur të shmangej një masakër e tillë?

William Walker: Jo. Ajo nuk ishte masakra e vetme, kishte edhe të tjera. Ndryshimi me atë të Reçakut ishte se vëzhguesit ndërkombëtarë mbërritën aty brenda disa orëve dhe kështu që historitë e sajuara të një beteje mes UÇK-së dhe forcave serbe u sfiduan. Ata ishin të gjithë djem dhe burra fshatarë me veshjet e tyre të bujqësisë. Nuk mendoj se masakra mund të ishte shmangur. Ajo thjesht hodhi dritë mbi atë që qeveria në Beograd po bënte ndaj shqiptarëve në Kosovë që nuk ishte vetëm në Reçak por në shumë fshatra të tjera.

Zëri i Amerikës: Ambasador, një vit më parë ju thatë në Reçak se “është dëshpëruese, pasi këta njerëz nuk e dhanë jetën e tyre për ta parë Kosovën aty ku është tani”. Sipas jush ku ndodhet Kosova njëzet vjet pas asaj masakre?

William Walker: Do të thosha në një situatë të trazuar. Ditën kur u shpall pavarësia – isha atë ditë në Prishtinë dhe të nesërmen në Pejë dhe kujtoj atë lum njerëzish që festonin çlirimin dhe pavarësinë. Pritshmëritë ishin të larta, ndoshta shumë të larta. Por edhe po të ishin në një nivel më të ulët, një numër shumë i madh njerëzish në Kosovë sot janë mjaft të zhgënjyer me ecurinë e deritanishme. Shumë njerëz thonë se duhet kohë për të ndërtuar një shtet të ri që lindi nga asgjëja, se politikanët kosovarë nuk kishin përvojë për të qënë politikanë e aq më shumë presidentë apo zëvendësministra, apo deputetë. Por mendoj se situata është zhgënjyese, ka shumë korrupsion, shumë krim, shumë pasiguri për të ardhmen. Rrjedhja e trurit që ka prekur të gjitha vendet e Ballkanit por veçanërisht Kosovën, papunësia mes të rinjëve është shumë e lartë dhe ata po humbasin shumë njerëz të aftë. Kam qënë i përfshirë me Universitetin Amerikan në Kosovë në përpjekjet për të trajnuar të rinjtë me mënyrën sesi funksionon bota sot. Kemi patur rezultate të mira. Ka shumë studentë të mirë dhe inteligjentë, por sapo diplomohen ata largohen – shkojnë në Gjermani apo këtu në Shtetet e Bashkuara – e kërkojnë fatin diku tjetër pasi në Kosovë mundësitë janë shumë të pakta. Pra shumë njerëz prisnin më tepër përparim 20 vjet pas asaj që ndodhi.

Zëri i Amerikës: Kosova shënon sivjet 11 vjet të pavarësisë, por ende është në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë vitit që lamë pas madje janë hedhur ide për një marrëveshje që mund të prekte edhe kufijtë e saj. Si e shihni ju këtë proces dhe ide të tilla?

William Walker: Unë e shoh kështu: njëra palë është e gatshme të negociojë dhe të bisedojë për të ardhmen ndërsa tjetra shumë e pandryshuar në qëndrimin e saj se Kosova është ende pjesë e Serbisë. Duke patur parasysh mënyrë sesi e trajtoi shumicën shqiptare qeveria e Slobodan Milosheviçit në Kosovë, unë nuk e imagjinoj dot që populli i Kosovës të pranojë ndonjë lloj kufizimi të lirisë nga ana e Beogradit. Në të njëtën kohë është një problem që të dyja vendet janë fqinje. Serbia vazhdon të provokojë probleme në veri të Kosovës me pakicën serbe. Ende nuk kam dëgjuar ndonjë zgjidhje të mundshme nga tryeza e bisedimeve që të jetë e zbatueshme, që të zgjidhte problemet. Dëgjon për shkëmbime territoresh apo ide të tjera. E di që Bashkimi Evropian kërkon një zgjidhje, një marrëveshje të negociueshme, e di që Shtëpia e Bardhë kërkon një zgjidhje. U deklarua kohët e fundit se do të mbështesim çdo marrëveshje për të cilën bien dakord palët. Mendoj se kjo është e padrejtë për Kosovën. Serbia është në një pozitë më të fuqishme. Ata kanë mbështetjen e Rusisë dhe vende të tjera në anën e tyre. Kosova është në pozita të dobëta. Thjesht shpresoj që kushdo që negocion për Kosovën do të mbetet këmbëngulës se do të ishte e papranueshme çdo gjë që është më pak se njohja e pavarësisë nga Beogradi, se fakti që Kosova ekziston si një shtet i pavarur në Evropë. Jam disi i shqetësuar se klasa e tanishme politike, disa anëtarë të saj, janë të shqetësuar për një re tjetër që u rëndon mbi supe që është zyra e Prokurorit Special. Disa prej tyre mund të ndjejnë se nëse nuk bëjnë atë që u thotë Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara, mund të akuzohen shumë lehtë. Zyra e Prokurorit Special ka kohë që është ngritur dhe ende nuk kam dëgjuar për akuza të ngritura kundër askujt, por e di se disa në lidershipin e tanishëm janë të shqetësuar se mund të akuzohen personalisht për krime lufte.

Zëri i Amerikës: Ju e shihni Kosovën në një situatë më të dobët sesa Serbia që sipas jush ka mbështetjen e Rusisë. Si e shihni përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces?

William Walker: Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë tentuar të tërhiqen nga angazhimi i fuqishëm i mëparshëm ndaj Kosovës si një shtet i pavarur për shumë arsye. Vëmendja po kthehet ndaj problemeve të tjera në pjesë të tjera të botës. Kosova është një vend i vogël. Shtetet e Bashkuara nuk mbështeten tek Kosova për asgjë kështu që interesat nuk janë të njëjta. Nuk do të thosha se Shtetet e Bashkuara kanë humbur interesin por po humbasin entuziazmin që kishin për ta ndihmuar Kosovën të zhvillohej si një vend që shumë dëshironin se do të ishte. Në administratën e tanishme amerikane nuk mendoj se ka njerëz që kanë qenë të përfshirë me çlirimin apo pavarësinë e Kosovës apo që janë në dijeni që asaj që ka ndodhur para masakrës së Reçakut. Është e vështirë të shpjegosh sesa e keqe ishte situata për popullin e Kosovës nën Slobodan Milosheviçin. Dhe nuk kam parë ndonjë shenjë nga qeveria e Beogradit për të ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë kaluar në qëndrimin se çdo lloj marrëveshjeje është e pranueshme prej nesh. Kjo më zhgënjen!!

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte këshilla juaj për udhëheqjen e Kosovës në vazhdimësi të këtij procesi?

William Walker: Do t’i këshilloja të mos dëgjonin aq shumë sa kanë dëgjuar deri tani komunitetin ndërkombëtar dhe të dëgjojnë më shumë popullin në Kosovë. Nëse do të dëgjonin më shumë njerëzit që i votojnë, i zgjedhin dhe u mundësojnë titujt, punët e mira, udhëtimet dhe të gjitha të tjerat që vijnë me mbajtjen e një posti publik. Ata nuk dëgjojnë atë që thonë njerëzit. Siç e thashë ka një zhgënjim të madh dhe zemërim se gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Mendoj se klasa politike në Kosovë – që nga presidenti, tek kryeministri, tek ministrat – shumë prej tyre janë parë si heronj të luftës, që luftuan me UÇK-në. Po – ata u shpërblyen, morën poste politike. Por ka ardhur koha që ata të largohen, është koha që të vijë një brez i ri që e di si është tani bota. Nuk shoh fytyra të ndryshme në zyra publike nga ato që kam parë unë 20 vjet më parë. Bota ka ndryshuar, situata e Kosovës ka ndryshuar dhe ata kanë nevojë për një drejtim që ka besimin e popullit.

Exit mobile version