Aktori i famshëm hollivudian, Will Smith, ka nisur një seri emisionesh në formë bisede në internet, të cilin po e xhiron në garazhin e tij.
I titulluar “Will From Home”, qëllimi i këtij programi është që t’i argëtojë njerëzit që qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre si pasojë e coronavirusit.
Emisioni përbëhet nga 12 episode, në të cilat ai do të bisedojë me familjen e tij, mysafirët e famshëm, si Tyra Banks, por edhe me njerëz tjerë të zakonshëm që do të tregojnë ngjarje interesante.
Sipas The Hollywood Reporter, shefi i përmbajtjes origjinale në Snapchat, Sean Mills, ka thënë se ideja ka lindur nga një bashkëbisedim i përfaqësuesve të këtij rrjeti social dhe atyre të kompanisë së aktorit, Westbrook Media.
“Will beson se ka shumë energji kreative dhe është i gëzuar që do ta shfrytëzojë në një mënyrë tjetër”, ka thënë Mills.
“Will From Home” ka nisur më 3 prill dhe do të jepet të hënën, të mërkurën dhe të premten. /Telegrafi/