Telegrafi

Will Ferrell flet për fobinë e njerëzve nga komuniteti LGBT+: Pse lumturia e të tjerëve ju rrezikon?

Aktori i njohur Will Ferrell ka ndarë mendimin e tij lidhur me arsyet pse ekziston transfobia. Ai i shprehu këto qëndrime gjatë një interviste për The Independent, në kuadër të turneut promovues për dokumentarin e Netflix, ‘Will & Harper’. “Mendoj se kemi frikë nga ajo që nuk e njohim”, tha ai.

“Uria për urrejtje ekziston”, theksoi Ferrell për The Independent. “Është shumë reale dhe shumë e rrezikshme për personat trans në disa situata… Por nuk e kuptoj pse personat trans duhet të jenë një kërcënim për mua si burrë. Nuk e di pse Harper duhet të jetë një kërcënim për mua”, shtoi ai.

“Kjo më duket e çuditshme, sepse Harper më në fund është ajo që është. Ajo është më në fund ajo që gjithmonë duhej të ishte. Pavarësisht nëse mund ta kuptosh plotësisht apo jo, pse do të shqetësoheshe nëse dikush është i lumtur? Pse është kjo një kërcënim për ty? Nëse komuniteti trans është një kërcënim për ty, mendoj se kjo buron nga pasiguria apo mungesa e vetëbesimit”, deklaroi aktori.

‘Will & Harper’ fokusohet në miqësinë midis Ferrell dhe Harper Steele. Ata u takuan në vitet ’90 gjatë punës në emisionin ‘Saturday Night Live’. Steele doli publikisht si grua trans pas 30 vjetësh miqësi me Ferrell. Dokumentari, të cilin Netflix e bleu pas premierës në festivalin ‘Sundance’ këtë vit, tregon dy komedianët në një udhëtim nëpër Amerikë, duke rizbuluar miqësinë e tyre pas tranzicionit të Steele.

Para premierës së dokumentarit, Ferrell tha për Variety se Steele zbuloi se ishte trans nëpërmjet një e-maili që ajo i dërgoi disa miqve. Ferrell tregoi se më parë nuk kishte asnjë njohuri për komunitetin trans.

“Kam takuar persona trans, por nuk kisha askënd në jetën time personale”, tha Ferrell. “Pra, kjo ishte një fushë krejtësisht e re për mua, dhe kjo është arsyeja pse mendoj se ky film është emocionues për ne, që ta prezantojmë atë në botë. Është një mundësi për të gjithë ne të bëjmë pyetje dhe thjesht të dëgjojmë, të jemi aty si miq për të diskutuar këtë udhëtim”, tha ai.

Dokumentari “Will & Harper” është tashmë i disponueshëm në Netflix. /Telegrafi/