Serbia është angazhuar që Kosova të mos njihet ndërkombëtarisht, qoftë nga shtete apo nga organizata ndërkombëtare. Por, ka raste edhe kur Serbia ka lobuar që shtete të ndryshme të tërheqin njohjet edhe pasi ato ishin zyrtarizuar. Kështu ndodhi me Republikën e Maldiveve, sipas një dokumenti të shpërndarë nga Wikileaks.
Në këtë kabllogram të klasifikuar, që është publikuar nga Wikileaks më 9 mars 2009, thuhet që Serbia kishte përdorur lidhjet e saj me liderë në Maldiveve për të tentuar tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës. Shteti ishullor e kishte njohur Kosovën më 19 shkurt 2008, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë.
Kabllogrami në fjalë i ishte dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit nga ish-ambasadori amerikan në Shri Lankë, Robert Blake.
Në këtë komunikim që u publikua nga Wikileaks thuhet që ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shaheed, kishte kontaktuar ambasadorin amerikan më 6 mars 2009 dhe e kishte informuar që brenda Qeverisë së Maldiveve ka mospajtime rreth njohjes së Kosovës.
Tri ditë më vonë, Shaheed kishte raportuar që Serbia po lobonte brenda Qeverisë së vendit që njohja për Kosovën të tërhiqej. Shaheed kishte raportuar që aktivistë të organizatës serbe OTPOR kishin qëndruar në Maldive për të lobuar te ish-presidenti i vendit, Mohamed Nasheed.
“Shaheed na ka thënë neve që Srdja Popoviq (ish-lideri i OTPOR-it) kishte ardhur personalisht, bashkë me persona të tjerë, në kryeqytetin e Maldiveve, Male, për të shtyrë këtë çështje më tutje”, thuhet në kabllogramin e publikuar nga Wikileaks.
Në paragrafin e fundit të këtij telegrami, thuhet që Maldivet kishin kërkuar nga atëbotë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, që ta dërgojë në Maldive një letër falënderimi për njohjen e Kosovës, veprim ky që do të parandalonte serbët që të kthejnë prapa njohjen për Kosovën. /gazetametro.net/