Kryesuesi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka pritur në takim shefin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ku të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve që ata drejtojnë.
Sipas një komunikate të KPK-së, Maloku dhe Wigemark diskutuar tema të interesit të përbashkët, që lidhen me mandatin e dy institucioneve.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Maloku, ka njoftuar shefin e EULEX-it, Wigemark, për punët dhe aktivitetet, që janë duke u realizuar në sistemin prokurorial, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Shefi i EULEX-it, Wigemark, duke uruar Kryesuesin Maloku për detyrën e re, tha se institucioni që ai drejton brenda mandatit të vet do të vazhdojë mbështetjen e sistemit prokurorial në promovimin dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Në fund të këtij takimi, u tha se sistemi prokurorial është duke punuar në realizimin e prioriteteve të veta për rritjen e efikasitetit, efektivitetit, transparencës dhe llogaridhënies në këtë sistem, ndërsa EULEX-i përmes monitorimit, këshillimit dhe mënyrës së trajtimit të sfidave do të mbështesë sistemin prokurorial në realizimin e prioriteteve që ka”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/