Site icon Telegrafi

WhatsApp po merr avatarët e stilit Bitmoji të Facebook

Pas “pushtimit” që avatarët e stilit Bitmoji të Facebook i bënë Instagram dhe Messenger, tani ato po vijnë edhe tek WhatsApp.

Sipas një raporti nga WABetaInfo, WhatsApp po e shpalos mbështetjen e tyre për avatarët e personalizueshëm në beta-n më të fundit në Android, por vetëm për disa përdorues.

Ata që kanë qasje në këtë veçori do ta shohin një kategori të re “Avatar” në menynë e parametrave të cilën ata mund ta përdorin për ta personalizuar versionin e tyre digjital, përcjell Telegrafi.

Njëjtë si aplikacionet e tjera të Meta-s, WhatsApp pastaj do ta gjenerojë një paketë me stikerë me avatarin që merr poza të ndryshme, e të cilat përdoruesit mund t’i përdorin për të shprehur veten e tyre kur janë duke biseduar me familjarët dhe shoqërinë e tyre.

WABetaInfo këtë veçori e kishte spikatur për herë të parë në muajin e kaluar, por që, tani kjo veçori po shpërndahet tek përdoruesit e platformës.

Nuk është e qartë se kur kjo veçori do të shpërndahet nga WhatsApp tek përdoruesit e saj në Android, ose kur platforma planifikon që ta sjellë atë në iOS.

Meta nuk i ishte përgjigjur menjëherë kërkesës së The Verge për një koment lidhur me përditësimet që pritet të bëhen.

Kompania e rrjeteve sociale Meta për herë të parë i kishte prezantuar avatarët në Messenger dhe në News Feed në vitin 2019, para se ato u vunë në dispozicion tek sektori i komenteve dhe i storjeve të Facebook në vitin 2020.

Ndërsa në fillim të këtij viti, kompania Meta, këtyre avatarëve iu dha një pamje të re 3D. /Telegrafi/

Exit mobile version