Globalisht i popullarizuar, aplikacioni WhatsApp po teston një funksion të ri që synon të përmirësojë sigurinë e përdoruesve gjatë thirrjeve me video.
Nëse jeni nga ata që nuk janë gjithmonë të sigurt nëse duan t’i përgjigjen një thirrjeje me video apo thjesht nuk janë gati për një bisedë “sy më sy”, kemi lajme të mira – WhatsApp po përgatit një zgjidhje.
Aktualisht, kur një përdorues merr një thirrje me video në WhatsApp, kamera e përparme aktivizohet automatikisht, duke mos lënë mundësinë për ta pranuar thirrjen me kamerën të fikur. Edhe pse kjo nuk është problem për disa përdorues, ka shumë situata ku dikush dëshiron ta mbajë kamerën të çaktivizuar. Për momentin, është e mundur të përgjigjeni në thirrje dhe më pas të fikni kamerën, por kjo do të ndryshojë.
Duke analizuar versionin më të fundit beta të WhatsApp për Android, Android Authority ka zbuluar opsionin e ri “Turn off your video” (Fik kamerën tënde), i cili do të shfaqet kur përdoruesi pranon një thirrje me video. Duke zgjedhur këtë opsion, kamera do të mbetet e fikur dhe thirrja do të pranohet vetëm në modalitetin zanor.
Gjithashtu, ndërfaqja do të shfaqë opsionin “Accept without video” (Prano pa video), që i lejon përdoruesit të nisë thirrjen pa qenë i dukshëm. Nëse më vonë ndryshon mendje gjatë thirrjes, mund të zgjedhë opsionin “Turn on your video” dhe të kalojë në modalitetin me video.
Ky funksion vjen në kohën e duhur, veçanërisht për shkak të rritjes së rasteve të zhvatjes përmes përmbajtjeve seksuale. Në Indi janë raportuar raste ku mashtruesit dërgojnë thirrje me video që përmbajnë përmbajtje eksplicite, më pas bëjnë një foto ku fytyra e viktimës është e dukshme dhe kërcënojnë se do ta publikojnë, nëse nuk paguhet një shumë e caktuar parash.
WhatsApp ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme për publikun, por përdoruesit nuk pritet të presin gjatë. /Telegrafi/