Timo Werner ka qenë edhe në ndeshjen e djeshme titullar për Kombëtaren e Gjermanisë në përballje me Çekinë.
Sulmuesi i talentuar ka shënuar madje gol vetëm pasi kishin kaluar katër minuta lojë për t’i dhënë epërsinë e parë Gjermanisë që triumfoi 1-2 në Pragë.
Por në vend që të merrte duartrokitje, Werner ka pranuar vetëm fyerje nga tifozët gjermanë në këtë sfidë si në tri të kaluarat.
21-vjeçari u fye gjatë gjithë ndeshjes nga tifozët gjerman të cilët ende po e mbajnë inatin me të.
‘Werner ti je një bir k….’, ishin fjalët që tifozët në kor iu drejtuan sulmuesit të RB Leipzig.
Trajneri Joachim Low ka bërë thirrje që të ndalen këto fyerje, por deri më tani gjithçka duket e kotë.
Gjithçka ka filluar në ndeshjen e Bundesligës mes Leipzig dhe Schalke 04, ku Werner simuloi dhe fitoi një penallti.
Tifozët e akuzojnë për simulim sulmuesin i cili pasi kishte shënuar nga penalltia festoi shumë.
Talenti i madh gjerman ka shënuar katër gola në katër ndeshjet e fundit për Gjermaninë dhe kjo ka bërë që Low t’i besojë atij fanellën e titullarit.
Por Werner duhet të bëjë diçka edhe më të madhe për t’i bindur tifozët gjermanë që mos ta fishkëllejnë dhe mos ta fyejnë atë gjatë ndeshjeve. /Telegrafi/