Timo Werner u transferua në verën e vitit 2020 nga Leipzig te Chelsea për shumën e 53 milionë eurove. Sulmuesi gjerman nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë me golin gjatë aventurës londineze.
Pavarësisht kësaj, 23-vjeçari gjerman vlerëson shumë mbështetjen e tifozëve anglezë në prononcimin e dhënë për Premier League Productions, duke deklaruar se ka mbetur i mahnitur nga dashuria e tyre.
“Ndonjëherë as unë nuk e di pse tifozët po më mbështesin kaq shumë, sepse si sulmues padyshim që dua të shënoj sa më shumë gola, por ndonjëherë më mungon goli dhe humbas raste të thjeshta”, ka thënë Werner.
“Duhet të jem i sinqertë në lidhje me këtë temë. Gjithsesi, unë mendoj se është shumë argëtuese të luash përpara tifozëve të Chelsea dhe mbështetja e tyre më bën edhe më të fortë, sidomos kur nuk shënoj dhe humbas raste të pastra”.
“Ata janë me të vërtetë të jashtëzakonshëm. Unë përpiqem të jap maksimumin tim në çdo ndeshje dhe t’i bëj të lumtur tifozët tanë. Ndihem krenar kur ata thërrasin emrin tim në stadium”, ka shtuar më tej gjermani.
Deri më tani në këtë edicion të Ligës Premier, Werner ka arritur të shënojë vetëm një gol dhe ka bërë një asistim. /Telegrafi/