Milot Rashica po i kalon ditët e tij të fundit si futbollist i Werder Bremenit.
Ylli i Kosovës ka zgjuar interesimin e shumë klubeve të njohura në Gjermani dhe jashtë vendit.
RB Leipzig, Schalke 04, Borussia Dortmund e Hertha Berlin e duan Rashicën në Bundesliga.
Ndërkohë skuadra si Milan, Napoli, Liverpool, Wolverhampton, West Ham United, Aston Villa apo Brighton jashtë kufijve të Gjermanisë.
Ka qenë drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann që ka konfirmuar se Rashica do të shitet këtë verë.
“Miloti është i interesuar për t’i dhënë lamtumirë klubit, në një mënyrë që tifozët e Werderit ta kujtojnë atë për të mirë”, tha Baumann duke aluduar në një paraqitje të madhe të Milotit në ndeshjen e fundit të Bundesligas, ku Werder synon fitore dhe shpreson që Fortuna Dusseldorf të humbas për të siguruar ndeshjen e ‘Play-Out’-it në Bundesliga.
“Është shumë në rregull që Rashica dëshiron të bëjë hapin e madh në karrierë”.
“Ka shumë interesim të klubeve për të dhe kjo është normale. Pas përfundimit të kampionatit do të mblidhemi dhe do të shikojmë më të mirën për klubin dhe për të”, deklaroi për Kicker drejtori sportiv Baumann.
Rashica u bashkua me Werder Bremenin në janarin e vitit 2018 nga Vitesse për 7,5 milionë euro.
23-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 31 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Gjermanisë ku ka shënuar 10 gola e ka bërë gjashtë asistime. /Telegrafi/