Arsene Wenger ka thënë se trajneri i ri i Arsenalit duhet t’i transferojë dy ose tre lojtarë për ta bërë skuadrën konkurrente për titullin e Ligës Premier.
Francezi pritet të largohet nga posti i trajnerit të Topçinjve në fund të sezonit, pas 22 viteve në krye të skuadrës angleze.
Tashmë po qarkullojnë emrat e kandidatëve potencialë për të zënë vendin e 68-vjeçarit, ndërsa disa prej tyre janë Luis Enrique, Carlo Ancelotti dhe Brendan Rodgers.
Mirëpo, Wenger mendon se kushdo që do të jetë zëvendësuesi i tij, duhet t’i bëjë vetëm disa ndryshime të vogla te Arsenali.
“Dua të them se skuadra ka cilësi, para dy vitesh ishim të dytët në ligë, në vitin e kaluar arritëm 75 pikë, e fituam Kupën FA, e fituam Charity Shield, luajtëm në finale të League Cup, jemi në gjysmëfinale të Europa League”.
“Prandaj këta lojtarë kanë cilësi, shpresojmë ta dëshmojmë këtë sërish para përfundimit të sezonit”.
“Jam i bindur se në të ardhmen, me dy apo tre shtesa, skuadra mund të luftojë për kampionatin”, ka deklaruar trajneri francez.
Ai ka thënë më tej se akoma nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, por është i sigurt se nuk do të pensionohet.
“Sinqerisht nuk e di se çfarë do të bëj. A do të bëj një pushim? Do të vazhdoj të punoj, kjo është e sigurt”, është shprehur më tej Wenger. /Telegrafi/