Arsene Wenger ka insistuar që Mesut Ozil nuk është i vështirë për t’u menaxhuar, ndërsa e përshkroi mesfushorin ‘special’ të Arsenalit si një ‘artist’.
Wenger bindi Ozilin që të bashkohet me Arsenalin nga Real Madrid për një tarifë rekord të atëhershëm klubi prej 43 milionë funtesh në verën e 2013.
Ish-përfaqësuesi i Gjermanisë arriti në Emirates me një reputacion si një nga lojtarët më të mirë krijues në futbollin evropian, dhe shumë shpejt u bë një lider te Arsenali për shkak të aftësisë së tij krijuese dhe asistimeve magjike.
Megjithatë, Ozil e ka gjetur vetën jashtë planeve të trajnerit Mikel Arteta, i cili e ka lënë atë jashtë skuadrës për ndeshjet e Ligës Premier dhe Ligës së Evropës.
Është sugjeruar që Ozil ka pasur një ndikim përçarës në zhveshtore gjatë kohës së tij me Topçinjtë, por Wenger pretendon se ai kurrë nuk kishte ndonjë problem me të.
“Ai nuk ishte i vështirë për t’u menaxhuar. Ishte një djalë që kishte një cilësi të veçantë si një lojtar krijues dhe duhej të argëtohej”, ka thënë fillimisht Wenger për ESPN.
“Ai është një artist dhe këta njerëz janë pak më të ndjeshëm. Ata kanë nevojë për mbështetje dhe një mjedis që i shtyn ata të japin më të mirën e tyre”.
Wenger këshilloi Artetan se si të përdoret më mirë Ozil, me besimin e tij se duhet të bëhen sakrifica për të akomoduar një lojtar me talentet e tij unike.
“Ju keni dy mënyra për të parë një ekip futbolli. Ju bëni që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. Të njëjtin intensitet të punës, të njëjtën punë mbrojtëse ose të gjeni një kompromis”.
“Ju keni një lojtar më kreativ në ekip i cili mund të bëjë më pak punë mbrojtëse por ju ndërtoni një ekip rreth tij që mund të kompensojë këto mangësi”.
“Kjo është ajo për të cilën duhet të mendoni”, përfundoi trajneri francez. /Telegrafi/