Arsene Wenger ka pranuar se qëndrimi për 22 vite në krye të skuadrës së Arsenalit ka qenë një gabim dhe ka thënë se ishte bërë “një i burgosur i sfidave të tij personale”.
Francezi ishte angazhuar me vite të tëra që të rindërtonte imazhin e Topçinjve, por nuk arriti që t’i bënte sërish kampionë në vitet e fundit në Emirates.
Edhe pse ishte kërkuar nga Real Madridi dhe kombëtarja e Anglisë, ai kishte vazhduar përpjekjet e tij për të fituar trofe me Arsenalin.
Ndërkohë që tifozët ishin të pakënaqur dhe madje kishin protestuar që të largohej, ndërsa kjo ndodhi në fund të sezonit 2017/2018.
Tash, 68-vjeçari ka pranuar se është dashur të largohej shumë më herët për një fillim të ri, porse pasioni për ta bërë Arsenalin sërish klub që fitonte tituj, e kishte lënë në Londër për shumë vite.
I pyetur nga RTL se cili ishte gabimi më i madh në karrierën e tij, Wenger është përgjigjur: “Ndoshta qëndrimi te i njëjti klub për 22 vite”.
“Unë jam një person që më pëlqen të lëviz shumë, por njëherësh më pëlqejnë sfidat. Kam qenë i burgosur i sfidave të mia personale në periudha të caktuara”, ka thënë ai.
Francezi e kishte fituar tri herë Ligën Premier me Arsenalin (1997/1998, 2001/2002, 2003/2004), teksa sezoni 2003/2004 ishte historik, pasi skuadra nuk kishte pësuar asnjë humbje.
Njëherësh, ai arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2006. Ndërkaq, në vitet e fundit ka mundur t’i gëzohet vetëm suksesit në Kupën FA. /Telegrafi/