Prej se New York Times publikoi raportin shokues për të bërat e Harvey Weinstein, deri më tani producentin hollivudian e kanë akuzuar 32 aktore për përdhunim, keqtrajtim seksual dhe shqetësim.
Shumica e tyre kanë treguar se 65-vjeçari i ftonte në dhoma dhe u kërkonte që t’i dërgojnë fotografi nudo, ndërsa shfrytëzonte çdo mundësi që t’i prekte dhe të abuzonte seksualisht me to.
Producenti më së shumti i ka keqtrajtuar aktoret e reja në fillet e karrierës, ndërsa shumica prej tyre i kanë bërë publike në media rrëfimet e tyre.
Në vitin e kaluar, Rose McGowan kishte shkruar në Twitter se Weinstein e kishte përdhunuar.
“Imagjinojeni mbi ju madhësinë e tij dhe fytyrën monstruoze. Në një moment jeta e juaj nuk është e juaja. Ju është vjedhur”, kishte thënë McGowan.
Aktorja britanike, Sophie Dix, ishte 22 vjeçare kur producenti e kishte ftuar në dhomën e tij të hotelit për t’i shikuar disa skena të filmit, në të cilin punonin bashkë.
“Derisa shkoja atje e kuptova se kisha bërë gabim të madh. Mi tregoi të pasmet e tij të mëdha, gjë që ishte e neveritshme. Pastaj u përpoq të më zhvishte dhe të më shtrinte në dysheme, ndërsa unë vetëm bërtisja që të ndalej. Megjithatë, ishte shumë i dhunshëm. U çua, i hoqi pantallonat dhe u nis të shtrihej mbi mua. Në atë moment i mblodha fuqitë, i thash vetes se jam e fortë, ika në banjë dhe u mbylla. Qëndrova aty për një kohë dhe kur u qetësua, u nisa të dal, por e pashë duke masturbuar në dysheme. Menjëherë, u mbylla sërish dhe kam dalë një ditë më pas kur shërbëtoret e pastruan dhomën”, ka treguar Dix.
Aktorja franceze, Florence Darel, ka thënë për Le Parisien se Weinstein e kishte abuzuar seksualisht gjatë xhirimeve të filmit “Fausto” në vitin 1993.
“Me tha se isha atraktive dhe se donte të ishte në lidhje me mua. I thashë se isha shume dashuruar me të dashurin tim të atëhershme, ndërsa ai më tha se dëshironte që të më kishte dashnore për disa ditë të vitit, në mënyrë që ta vazhdonim bashkëpunimin tonë në Amerikë”, ka rrëfyer Darel.
Aktorja nga filmi “Boys and Girls”, Claire Forlani, kishte ikur disa herë nga producenti i famshëm.
“Më tregonte se me sa aktore ka fjetur dhe se çfarë iu kishte bërë”, ka thënë Forlani.
Kate Beckinsale ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga Weinstein kur ishte vetëm 17 vjeçare.
Manekinia dhe aktorja Cara Delevingne është një tjetër yll që bën pjesë në listën e bukurosheve të famshëm që janë ftuar në dhomën e hotelit të producentit.
“Në dhomë ishte edhe një femër tjetër. Kërkonte që ne të putheshim me njëra-tjetrën, ndërsa jo i ndiqte instruksionet e tij. Menjëherë u çova dhe i thash se më duhej të shkoja. U përpoq të më puthte teksa largohesha, por ia dola të shmangesha”, ka deklaruar Delavigne.
Aktorja franceze, Lea Seydoux, po ashtu ia kishte dalë të ikte kur 65-vjeçari i ishte hedhur në një dhomë hoteli, ku e kishte ftuar të bisedonte për punë.
Angelina Jolie dhe Gwyneth Paltrow kanë rrëfyer për New York Times se disa herë janë shqetësuar seksualisht nga Weinstein.
Krahas tyre producenti ka abuzuar edhe me Ashley Judd, Ambra Battilana, Heather Graham, Tomi-Ann Roberts, Rosanna Arquette, Katherine Kendall, Judith Godreche, Dawn Dunning, Emily Nestor, Laura Madden, Zelda Perkins, Lucia Evans, Asia Argento, Mira Sorvino, Emma de Caunes, Jessica Barth, Lauren Sivan, Romola Garai, Louisette Geiss, Sarah Ann Masse, Liza Campbell, Zoe Brock e Louisa Godbold.
Mbi 16-të ish punëtore të Weinstein, po ashtu, kanë thënë se kanë qenë dëshmitare të abuzimeve të tij.
Pas të gjitha akuzave, producenti e ka pranuar çfarë ka bërë, por ka thënë se gjërat e tilla kanë qenë normale në vitet e gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta. /Telegrafi/