Wayne Rooney ka thënë se ka një ‘ndjesi’ për Kobbie Mainoo dhe finalen e Euro 2024 teksa Anglia po përgatitet që të ballafaqohet me Spanjën.
Mainoo ka qenë një ndër zbulimet më të mëdha të kësaj vere. Ai nuk u përdor shumë në ndeshjen hapëse të Anglisë ndaj Serbisë, duke u futur në lojë në minutën e 86-të.
Ai nuk luajti në barazimin 1-1 ndaj Danimarkës, por luajti titullar ndaj Sllovenisë, Sllovakisë, Zvicrës dhe Holandës.
Mesfushori 19-vjeçar, i cili erdhi pas një sezoni fantastik me Manchester United me shumë mundësi do të jetë partner i Declan Rice në finalen e nesërme (e diel).
Dhe Wayne Rooney me besim të madh ka thënë se Mainoo do të shënojë në finalen e së dielës.
“Unë kam një ndjesi për Mainoon dhe finalen, se ai do të shënojë dhe do të dëshmohet të jetë vendimtar”.
“Nëse mendoni për të në këtë garë, ai ka shkuar në disa pozicione të mira në sulm dhe mendoj që Spanja do të bëjë detyrat duke mbyllur hapësirat për Harry Kane, Foden, Bukayo Saka dhe Jude Bellingham”.
“Por kjo do të lejojë hapësirë për një mesfushor që të arrijë nga plani i dytë, dhe Mainoo do të arrijë të shënojë një gol”, ka thënë Rooney.
Për ndikimin që ka pasur Mainoo tek Anglia ka folur edhe përzgjedhësi Southgate, i cili tha se gjërat që ylli i ‘Djajve të Kuq’ po bën, janë të jashtëzakonshme duke marrë parasysh moshën e tij.
“Unë mendoj se të gjitha paraqitjet e tij kanë qenë të jashtëzakonshme, veçanërisht kur kujtoni moshën e tij. Ne nuk kemi pasur një lojtar si ai deri më tani”, ka thënë Southgate./Telegrafi/