Emma Watson ka dhuruar një milion funte (1.13 milion euro) për një fushatë të re që iu dedikohet njerëzve të prekur nga keqtrajtimet seksuale.
Donacioni i saj ishte ndikuar nga një letër e hapur, të cilën e kanë nënshkruar rreth 200 artistë britanikë dhe irlandezë, të cilët kanë kërkuar që të ndërpriten shqetësimet seksuale në punë.
Emma Thompson, Keira Knightley dhe Emma Watson, janë vetëm disa prej yjeve që e kanë nënshkruar këtë letër, bënë të ditur The Observer.
Femrat pjesëmarrëse në ceremoninë e BAFTA-s kanë vendosur që të vishen me të zeza gjatë parakalimit në tepihun e kuq në shenjë solidarizimi me lëvizjen e Hollywoodit, “Time’s Up”, që është nisur pikërisht kundër keqtrajtimeve seksuale.
Kujtojmë që në vitin e kaluar shpërtheu skandali i abuzimeve seksuale në botën e filmit. Shumë aktore të njohura i akuzuan producentët, filmbërësit dhe kolegët e tyre, për keqtrajtim seksual.
Disa prej tyre madje kanë pohuar se janë përdhunuar nga personat e fuqishëm në Hollywood dhe tashmë kanë ngritur edhe padi gjyqësore.
Watson u bë e njohur për rolin e Hermione Granger në filmat “Harry Potter”. /Telegrafi/