Gazeta amerikane The Washington Post, akuzon princin saudit të kurorës Muhamed bin Selman se gënjen paturpësisht për t’iu shmangur përgjegjësisë së pashmangshme për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, duke shtuar në këtë drejtim se ka ndihmën edhe të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.
“Trump mbron gënjeshtrat e Muhamed bin Salman. Kongresi duhet të insistojë në të vërtetën”, është titulli i artikullit të botuar nga gazeta amerikane.
Teksti rithekson se të enjten prokurori saudit në Rijad lëshoi një deklaratë që ishte në kundërshtim me faktet tashmë të njohura dhe e cila e amniston plotësisht princin Muhammed nga përgjegjësia.
The Washington Post më tej vazhdon dhe thotë se Trump ka pranuar këtë deklaratë mbuluese, edhe pse më parë premtoi se të vërtetën do ta kërkojë në detajin më të vogël.
“Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione kundër 17 personave të dyshuar për vrasjen e Khashoggit, por nga këto sanksione u përjashtuan Princi Muhamed bin Selman dhe zyrtarë të tjerë të lartë të zbulimit të Arabisë Saudite”, thuhet në tekst.
Gazeta më tej shton se Trump vazhdon të mbështesë Muhamed bin Selman, përkundër faktit se edhe Agjencia Amerikane e Inteligjencës (CIA) arriti në përfundimin se pikërisht ai kishte urdhëruar vrasjen e Khashoggit.
Burimi i njëjtë thotë se Trump refuzon të pranojë fajësinë e Muhammed bin Selman sepse kjo do të nënkuptonte se Shtëpia e Bardhë ka gabuar kur zgjodhi për partner strategjik princin saudit 33 vjeçar.
Gazeta i bën thirrje Kongresit Amerikan që të marrë masa për të orientuar politikën e jashtme të SHBA-së në të vërtetën dhe jo në gënjeshtra. /Telegrafi/