Presidenti Donald Trump mund të jetë në burg derisa të vijë Dita e Zgjedhjeve. Kështu ka thënë senatorja demokrate e Massachusetts, Elizabeth Warren në ditën e saj të parë të plotë të fushatës si një kandidat presidencial i deklaruar.
“Deri në kohën që arrijmë në 2020, Donald Trump mund të mos jetë as President”, u ka thënë Warren votuesve potencialë të saj në Cedar Rapids, Iowa. “Në të vërtetë, ai mund të mos jetë një person i lirë”.
Momenti shënoi një zhvendosje të dukshme në tonet e Warren, e cila thuhet të ketë ngurruar të merret drejtpërdrejtë me Trump pasi që ajo njoftoi fushatën e saj eksploruese në prag të Vitit të Ri.
Sipas mediave, ajo i është referuar hetimeve që po zhvillohen rreth ndërhyrjes së mundshme të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.
Warren, e cila ka thënë vazhdimisht gjatë fundjavës se fanatizmi nuk ka vend në Zyrën Ovale, gjithashtu u tha gazetarëve se ajo tashmë i ka “tërhequr vërejtjen” Trumpit se po bëhet racist “shumë herë”.
Më parë gjatë ditës, demokratja e Masaçusetsit kishte thënë se vendi është në një “moment të rrezikshëm” dhe se “ajo që ndodh në vitin 2020 do të përcaktojë drejtimin e kombit tonë, drejtimin e popullit tonë”. /Telegrafi/