Astronautja kineze Wang Yaping hyri në histori të dielën kur u bë gruaja e parë në vend që kreu një shëtitje në hapësirë, sipas agjencisë kombëtare të hapësirës.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, Wang dhe Zhai Zhigang, dy nga ekipi prej tre anëtarësh aktualisht në stacionin e ri hapësinor të Kinës Tiangong, përfunduan me sukses ecjen hapësinore prej 6.5 orësh në orët e para të mëngjesit të së hënës, sipas Agjencisë Hapësinore të Drejtuar të Kinës (CMSA).
Anëtari i tretë i ekuipazhit Shenzhou-13, Ye Guangfu, qëndroi në stacionin hapësinor për të mbështetur ecjen në hapësirë nga moduli kryesor.
Kjo është hera e parë që ekuipazhi del nga stacioni që nga mbërritja e tyre më 16 tetor.
Menjëherë pasi doli nga kabina e stacionit hapësinor të dielën, Wang përshëndeti audiencën në Tokë dhe tha se ndihej mirë, në një video të publikuar nga qendra e kontrollit të fluturimit që është bërë virale në mediat sociale kineze.
Wang është gruaja e dytë e Kinës në hapësirë, pasi Liu Yang bëri histori duke iu bashkuar anijes kozmike Shenzhou-9 në vitin 2012.
Në një intervistë me CNN në vitin 2015, Wang tregoi momentin e parë që shikoi Tokën nga hapësira.
“Kur shikova nga dritarja për herë të parë, kuptova kuptimin e vërtetë të fuqisë së jetës… ajo lloj bukurie ishte përtej të kuptuarit tonë”, tha ajo. /Telegrafi/