Ushtaraku dhe diplomati amerikan në pension, William Walker, është shprehur i zhgënjyer me zhvillimet politike në Kosovë.
Ish shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së të vitit 1998- 1999 i cili denoncoi masakrën e forcave serbe ndaj popullsisë civile në Reçak të Shtimes, tha sot se dëshiron të shohë zhvillime më pozitive në Kosovë.
I kthyer në Kosovë në vigjilje të përvjetorit të kësaj masakre, Walker sot ishte edhe në Kuvendin e Kosovës për ta përcjellë për disa çaste një seancë të jashtëzakonshme.
“Jam i dëshpëruar që gjërat nuk kanë shkuar më mirë. Isha këtu në kohën e çlirimit, isha këtu në kohën e pavarësisë, dhe besoj pritjet ende nuk janë kryer”, tha ai para gazetarëve në Kuvend.
“Shpresoj që gjërat do të shkojnë më mirë, por jam i dëshpëruar”, tha ai shkurt.
Walker komentoi edhe arrestimin e ish komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze në bazë të një flet-arresti serb të lëshuar në vitin 2004.
“Jam konfuz se si autoritetet franceze ende zbatojnë urdhër-arrestet e Serbisë. Francezët duhet ta dinë se këto janë akte politike që vinë nga Beogradi. Jam hidhëruar si Beogradi vazhdon të bëjë këso gjërash politike, por po ashtu edhe me Parisin”, tha Walker. /Kallxo.com/