Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, diplomati amerikan William Walker, ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, kanë pasur epilog të papritur, por të parashikuar të mbretërimit nëntëmbëdhjetëvjeçar të udhëheqjes politike që erdhi në pushtet pas luftës për pavarësinë, e që janë ata që pretendojnë se janë heronj ushtarakë.
Në një intervistë për Telegrafin diplomati amerikan, William Walker, tha se ka ardhur koha që Kosovën ta drejtojë një gjeneratë të re e liderëve politikë, duke i lënë mënjanë ata që kanë kontrolluar sistemin politik për kaq kohë.
Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, Walker deklaroi se Albin Kurti dhe të tjerët në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë mendime të forta, të menduara dhe të artikuluara mirë. Prandaj, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, tani do të ketë mundësinë ta tregojë veten para botës, duke demonstruar se nuk është një koleksion i drejtuesve të rinj kryelartë, e as ekstremistë, por përkundrazi një brez i ri me ide të reja.
Ai beson se Qeveria e re, duhet të arrijë majat e përdorimit të burimeve dhe mençurisë, e po ashtu edhe të atyre që jetojnë në diasporë.
Në këtë intervistë ambasadori Walker ka folur edhe për mundësinë e formimit të qeverisë së re, e cila do të duhet të krijohet me një aleancë me të tjerat parti politike, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për idenë e ndryshimit të kufijve.
Telegrafi: Në zgjedhjet e fundit të parakohshme të Republikës së Kosovës të mbajtura me 6 tetor, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar zgjedhjet. Si e komentoni ju këtë fitore të VV-së?
William Walker: Rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe shfaqja në vendin e parë të Albin Kurtit dhe partisë së Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësojnë për mua të paktën, fundin e papritur, por të parashikuar të mbretërimit nëntëmbëdhjetëvjeçar të udhëheqjes politike që erdhi në pushtet, pas luftës për pavarësinë, e që janë ata që pretendojnë se janë heronj ushtarakë. Rritja e vazhdueshme e Vetëvendosjes me mbështetjen popullore gjatë dekadës së kaluar, dhe vendi i saj i parë në këto zgjedhje, i kombinuar me rënien e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe udhëheqësve të tjerë politikë të së kaluarës, demonstrojnë lodhjen e njerëzve me kërkesën për pushim nga e kaluara , duke kërkuar drejtues të rinj, ide të reja, atë që Lëvizja Vetëvendosje, pretendon ta përfaqësojë.
Telegrafi: Në zgjedhjet e fundit partitë politike, të përfaqësuara nga krerët e luftës, kanë humbur zgjedhjet. Cili është komenti juaj?
William Walker: Kjo është padyshim një mundësi, një shans për një gjeneratë të re të liderëve politikë të vijnë në pushtet, duke i lënë mënjanë ata që kanë kontrolluar sistemin politik për kaq kohe. Kjo gjeneratë e re, nuk është vetëm e re, por edhe më e arsimuar dhe besohet se ka ide të freskëta për të propozuar. Por, duke pasur parasysh mënyrën e formimit të qeverisë së re, nevojën që Lëvizja Vetëvendosje, të formojë një aleancë me parti dhe aktorë më tradicionalë politikë, mbetet për tu parë, nëse kjo “gjeneratë e re” do të jetë në gjendje të zbatojë apo implementojë reformat dramatike të nevojshme për të prodhuar ndryshim pozitiv, e që ky ndryshim është i nevojshëm.
Telegrafi: Ju keni qenë përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje. Sa do të jetë në gjendje, Albin Kurti, nëse merr drejtimin e Qeverisë, do ta bëjë ndryshimin në Kosovë?
William Walker: Kur u prezantova për herë të parë me Albin Kurtin dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë, ishte një “lëvizje”, e njohur dhe e frikësuar nga disa, sidomos nga Ambasada Amerikane dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar. U acarova kur më thanë se ambasadori amerikan nuk pranoi të takohej me Albin Kurtin, ose me të tjerët që flisnin në emër të VV-së. Më thanë se vetëm nëse Lëvizja e regjistron veten si parti politike legale, Ambasada do të fliste me ta, dhe do ta merrte seriozisht. Kur e bëri këtë dhe vrapoi në paraqitjen e saj të parë si palë e regjistruar, unë ndoqa një numër tubimesh të saj. Më bëri përshtypje, me madhësinë dhe entuziazmin e turmave në çdo miting që unë ndiqja, në qytete, në fshatra, midis të rinjve dhe të moshuarve. Në vitet që unë kam parë dhe shikuar që partia e Lëvizjes Vetëvendosje po rritet. Këto zgjedhje tregojnë apo demonstrojnë se bashkësia ndërkombëtare, është dashur të jetë në kontakt shumë më herët me Albin Kurtin dhe me partinë e tij.
Telegrafi: I shihni si problem qëndrimet e udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që shpesh herë janë cilësuar si të ashpra ndaj faktorit ndërkombëtar dhe izoluese për Kosovën?
William Walker: Albini dhe të tjerët në Lëvizjen Vetëvendosje, gjithashtu edhe ndjekësit e tjerë si aktivistët e partisë, kanë mendime të forta, të menduara dhe të artikuluara mirë. Disa nga këto, nuk janë të njohura për bashkësinë ndërkombëtare. Lëvizja Vetëvendosje tani do të ketë mundësinë ta shpjegojë veten para botës, duke demonstruar se nuk është një koleksion i drejtuesve të rinj kryelartë, e as ekstremistë, por përkundrazi një brez i ri me ide të reja.
Telegrafi: Sipas jush cilat janë sfidat më të vështira dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme?
William Walker: Qeveria e re do të formohet, sikurse të gjitha regjimet e mëparshme kosovare që nga pavarësia, d.m.th., si aleanca të disa partive politike. Meqenëse, askush nuk fitoi një shumicë të qartë më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje, do të duhet të krijojë një aleancë me të tjerat parti politike, të vendosë se cila parti do të mbajë cilën ministri, kush do ta mbajë atë zyrë, etj. Këto aleanca shumëpartiake, nuk kanë funksionuar mirë në të kaluarën, dhe nuk jam i sigurt se një aleancë e re e partive dhe udhëheqjeve të ndryshme, do të bëjë më të mirën. Shpresoj se kam gabuar.
Telegrafi: A pritni që Qeveria e re e Kosovës, të vendosë shpejt për tarifën 100 për qind ndaj produkteve serbe, e cila edhe u bë shkaktare e ndërprerjes së dialogut, dhe rikthimin në tryezën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave?
William Walker: Unë me të vërtetë nuk kam ndonjë parashikim për të ardhmen e tarifës 100 për qind, apo rifillimin e bisedimeve me Beogradin. Supozoj se bisedimet do të fillojnë, sapo të jetë krijuar një qeveri e re, e cila është e gatshme për të negociuar. Komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të bëjë presion për një marrëveshje bilaterale. Unë vetëm shpresoj që të gjithë të kuptojnë, dhe të pranojnë që ky do të jetë një pushtet i ri i Kosovës, me udhëheqje të re, ide të reja dhe mbështetje të re publike.
Telegrafi: Krahas sfidave në rrafshin ndërkombëtar, Kosova ka probleme të mëdha edhe për shumë çështje të brendshme, çka pritni ju nëse Qeveria e ardhshme udhëhiqet nga Albin Kurti?
William Walker: Korrupsioni dhe paaftësia në qeverisje kanë bërë që shumë probleme të brendshme të acarohen e përkeqësohen. Do të shpresoja që qeveria e re të arrijë te burimet e informacionit, sugjerimet, idetë, që të tejkalojnë pengesat e së kaluarës. Unë besoj se Qeveria e re, duhet të arrijë majat, e përdorimit të burimeve dhe mençurisë, e të atyre që jetojnë në diasporë, në Evropë dhe në Amerikën veriore. Në diasporë ka burime intelektuale, përvoja praktike dhe probleme të ngjashme dhe zgjidhje gjithandej, një dëshirë që ta shohin Kosovën të këtë sukses, që është anashkaluar në të kaluarën.
Telegrafi: Ku ndodhet Kosova njëzet vjet pas çlirimit të saj, kur e mendoni situatën që mbretëronte në Kosovë para këtyre viteve?
William Walker: Nuk ka dyshim që shumë ka ndryshuar. Gjatë njëzet viteve të fundit është përmirësuar cilësia e jetës për qytetarët e Kosovës. Kosova që kam parë dhe hasur për herë të parë në vitin 1998, nën regjimin e Slobodan Millosheviqit, ishte një tmerr për popullatën që ishin shqiptarë etnikë. Dallimet, ndryshimet apo përmirësimet në Kosovë janë për t’i parë të gjithë. Sidoqoftë, përpara ka ende rrugë të gjatë për të bërë, me rreziqe dhe kërcënime, që duhet kapërcyer, para se Kosova të jetë shteti të cilin të gjithë shpresonin në çlirimin dhe pavarësinë e saj.
Telegrafi: Kosova, sivjet përpos që ka shënuar 20 vjetorin e çlirimit, ka shënuar edhe 11 vjet të pavarësisë, por ende është në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Së fundi janë hedhur ide për një marrëveshje që mund të prekte edhe kufijtë e saj. Si e shihni ju këtë proces dhe idetë e tilla?
William Walker: Unë e di, se kam informacione të mjaftueshme të dorës së parë për procesin e bisedimeve deri më tani. Ajo që e di. pak më jep përshtypjen se Beogradi deri më tani nuk ka qenë i gatshëm të pranojë realitetin me të cilin përballet, pra të një shteti sovran të njohur ndërkombëtarisht i quajtur Republika e Kosovës, si fqinj. Se çfarë do të marrë Beogradi për pranimin serb të këtij fakti, unë nuk kam ide. Nuk jam në favor të një ndryshimi të kufijve, të cilin mund ta shohë lehtësisht, duke çuar në komplikime të ardhshme.
Telegrafi: Si e shihni përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces, pasi që në deklaratat e juaja, ju e shihni Kosovën në një situatë më të dobët, sesa Serbia, që sipas jush ka mbështetjen e Rusisë?
William Walker: Për njëzet vjet, unë kam dëgjuar mendime të popullatës së Kosovës, se Shtetet e Bashkuara janë miku më i mirë i Kosovës dhe se SHBA-të, nuk do të lejonte kurrë dhe asgjë, që të prishë përparimin dhe vetëvendosjen e dy dekadave të fundit. Unë lutem që ky është realiteti i marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së vitit 1999, e që ishin sigurisht përgjegjës, së bashku me partnerët e saj të NATO-s, për lindjen e këtij kombi të vogël. Fatkeqësisht, për mendimin tim, SHBA e vitit 1999, dhe tani kjo e vitit 2019, janë dy lojtarë shumë të ndryshëm në skenën botërore. Qeveria aktuale amerikane ka shumë probleme të tjera, të jashtme dhe të brendshme. Marrëdhëniet midis partnerëve të NATO-s, marrëdhëniet me akterët e tjerë në Evropën Lindore, janë shumë të ndryshëm nga ato që ishin njëzet vjet më parë. Unë hezitoj të them atë që SHBA-të dhe bashkësia ndërkombëtare do të bënte të njëjtën gjë, nëse situata do të shkonte keq.
Telegrafi: Cila do të ishte këshilla juaj për udhëheqjen e re të Republikës së Kosovës?
William Walker: Ndiqni instinktet tuaja më të mira. Dëgjoni, por mos pranoni automatikisht këshillat ose diktatet e bashkësisë ndërkombëtare. Drejtojuni diasporës shqiptare për këshilla dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjen tuaj, dhe tregoni se thirrjet e publikut kosovar për gjeneratën e re të udhëheqjes, për ide të reja, norma të reja të sjelljes politike, nuk ishin të kota! Kjo është shansi që kjo gjeneratë e re të tregojë se çfarë mund të bëjë. Bëje! /Telegrafi/