Site icon Telegrafi

Walid Regragui: Fitojmë ndaj Kroacisë dhe kthehemi në vendin tonë me medalje

Kroacia dhe Maroku do të luajnë finalen e vogël, por që vlen për vendin e tretë në Kupën e Botës.

Për kroatet kjo është hera e dytë që kroatët do ta zhvillojnë një ndeshje të tillë, derisa e treta në histori të tyre që arrijnë në mesin e katër Kombëtareve më të mira në botë.

Në anën tjetër për Marokun kjo ishte hera e parë që arrin në gjysmëfinale dhe e para sigurisht që do të luaj për vendin e tretë në botë.

Trajneri i Marokut, Walid Regragui ka thënë në konferencë për shtyp se janë të zhgënjyer që nuk janë në finale, por që do të bëjnë çmos për ta fituar vendin e tretë në botë.

“Jemi të zhgënjyer për faktin që nuk mund të luajmë në finalen e madhe, por është një vend i tretë të cilin duhet ta përvetësojmë dhe të ngjitemi në podium për ta mbyllur në mënyrën e duhur turneun”.

“E dimë që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por na duhet vendi i tretë edhe për të përmirësuar renditjen tonë në klasifikimin e FIFA-s”.

“Lojtarët kanë ende uri dhe do të ishte bukur nëse kthehemi në shtëpi me medalje. Duke fituar ndaj Kroacisë, do të bëjmë që skuadrat afrikane të ëndërrojnë edhe më shumë”.

“Kemi një organikë të mirë dhe kam besim total te futbollistët e mi, kushdo që të aktivizohet do të japë maksimumin në fushë”, u shpreh Regragui. /Telegrafi/

Exit mobile version