Lëvizje e madhe në merkaton e NBA, me Dwyane Wade që u largua pas 13 vjetësh nga Miami duke firmosur për Chicago Bulls, skuadrën e qytetit të lindjes, dhe ekipin e tij të zemrës.
34-vjeçari firmosi një kontratë 2 vjeçare me një vlerë prej 47.5 milion dollarësh duke arritur më në fund marrëveshjen me Bulls, ekip që e kërkoi dhe në vitin 2010.
Kontrata u firmos këtë të mërkurë në New York, dhe Wade i dha fund marrëdhënies së tij me Miami, klub që e zgjodhi në Draft të NBA 13 vjet më parë dhe ku ai luajti në gjithë karrierën e tij duke fituar madje tre tituj kampion, në vitin 2006, 2012 dhe 2013, teksa në finalen e 10 viteve më parë u shpall dhe MVP i finales.
Wade ka fituar edhe medaljen e artë me SH.B.A. dhe në Lojërat Olimpike të Kinës, cilësohet nga të gjithë si një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim në kampionatin amerikan të koshit dhe transferimi i tij te Bulls konsiderohet dhe si një prej lëvizjeve më të rëndësishme gjatë kësaj merkatoje.