Site icon Telegrafi

“VW” po e humbet Europën

Skandali i manipulimit të testeve anti-ndotje në motorët me naftë i zi ka kushtuar shtrenjtë Volkswagen.

Shtëpia prodhuese me bazë në Wolfsburg ka humbur për të 5-tin muaj me radhë kuotat në treg, ndërkohë që porositë në vendin e origjinës por edhe në Mbretërinë e Bashkuar bien me ritme të frikshme, shkruan Telegrafi. Në kontinentin e vjetër, shitjet kanë rënë me 4 për qind vetëm gjatë Janarit, ndërkohë që e gjithë industria u rrit me 6.3 për qind gjatë së njëjtës periudhë kohore. Tashmë, grupi zë 24.3 për qind të tregut europian, nga 25.6 për qind që zinte gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Prodhuesi gjerman, më i madhi europian dhe i dyti në nivel global, po has vështirësi të mëdha për t`u ringritur nga skandali i Shtatorit. Konkurrenca po e shfrytëzon më së miri një situatë të tillë.

Fiat Chrysler në rritje me 15 për qind, divizioni Opel i General Motors, në rritje me 12 për qind dhe Ford Motors me 11 për qind, praktikisht po i vjedhin klientelën shtëpisë prodhuese gjermane.

Prej muajit Janar, Volkswagen ka filluar tërheqjen e autoveturave në Europë për të rregulluar softwaren përgjegjës për manipulimin e testeve të gazrave. Rreth 11 milionë njësi në të gjithë Botën janë pjesë e mashtrimit. Tregu europian i makinave ndërkohë ka mbyllur muajin e 29-të me radhë në rritje. Spanja dhe Italia janë dy tregjet që regjistrojnë edhe rritjen më të madhe të sektorit. /Telegrafi/

Exit mobile version