Telegrafi

VV: Thaçi mos të kërkojë emra të rinj për kryeministër, jemi të fokusuar në pandeminë

Foto: Ilustrim

Presidenti Hashim Thaçi dje tha se nga e hëna do të nisë konsultimet me liderët e partive politike për krijimin e qeverisë së re.

Por, partia e fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Vetëvendosje, tha se tani bashkë me Qeverinë në detyrë janë të fokusuar në kalimin e krizës pandemike.

 

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, tha  se sapo të kalohet kjo pandemi duhet shkuar në zgjedhje të reja dhe se presidenti Thaçi nuk duhet të kërkojë emra për kryeministër të ri në këtë kohë krize.

 

“Tash për tash të gjithë ne së bashku me Qeverinë jemi të fokusuar rreth pandemisë së koronavirusit. Sapo të kalojmë këtë pandemi menjëherë duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Kësisoj Presidenti Thaçi nuk ka çka kërkon emra për kryeministër të ri, por le të mendojë rreth datës së zgjedhjeve porsa të mbarojë çështja urgjente e Covid19”, ka thënë Manxhuka për Klan Kosova.

Lexo po ashtu Rënia e Qeverisë, presidenti duhet të kërkojë nga LVV-ja një mandatar të ri për kryeministër

Por, të kundërtën e kësaj e ka thënë Thaçi, dje gjatë ditës, ka thënë se ai nuk është pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke lënë të nënkuptohet se kërkon qeveri gjithëpërfshirëse.

“Fokusi im do të jetë në çdo rrethanë të eliminohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve të reja apo shpërbërja e Kuvendit. Propozimi im do të jetë mundësia e krijimit të qeverisë së re. Nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët politikë, t’i dëgjoj opinionet e tyre dhe të prezantoj kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re, në mënyrë që të mos ketë vakum institucional”, ka thënë presidenti.