Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë mbajti sot konferencë për media në lidhje me qeverisjen në Komunën e Prishtinës, ku kërkoi që ndalen ndërtimet pa leje dhe të kthehet transparenca.
Deputeti i lëvizjes dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Salih Zyba, tha se ndryshimet me qeverisjen e mirë të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës janë vërejtur menjëherë.
”Ndryshimet e sjellura, që me qeverisjen e mirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Prishtinës, u vërejtën menjëherë. Sidomos, transparenca, guximi dhe veprimi për ta ndalur degradimin e mëtutjeshëm urban të Prishtinës. Falë kësaj dhe shumë punëve të tjera, Lëvizja u dyfishua me vota, ndërsa në zgjedhjet lokale i fitoi edhe dy komuna tjera dhe e rifitoi Prishtinën”, tha Zyba.
Ai tha se Shpend Ahmeti ka hequr dorë nga zbatimi i programit, zotimeve para qytetarëve e votuesve të Vetëvendosjes dhe të tij personalisht, që i dhanë besimin për të qeverisur mirë.
Ndërkaq, asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Abër Vokrri, tha se qeverisja e Shpend Ahmetit ka degraduar, madje duke lejuar edhe ndërtimet pa leje.
”Sot jemi dëshmitarë se po ndodhë e kundërta. Numri i ndërtimeve në qytet sa vjen shtohet, ndërkohë që mungojnë publikimet e lejeve si në portalin e Komunës ashtu edhe nga vetë ndërtuesit, pra kemi rënie apo humbje të plotë të transparencës. Që nga maji i këtij viti, që prej 6 muajsh, nuk është publikuar asnjë leje në web-faqen e Komunës, ani pse ky është obligim ligjor. Kur i kemi parasysh këto dy fakte, ka bazë të dyshohet për një fenomen korruptiv, me tentim të fshehjes. Në Komunën e Prishtinës po ndërtohet pa leje. Në qeverisjen komunale të Prishtinës mungon transparenca.”, tha Arbër Vokrri.