Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë në raundin e parë zgjedhor në zgjedhjet lokale, ndërsa në balotazh pritet të shkojë në gjashtë komuna.
Vetëvendosje do të jetë në balotazh në qytetin e Prishtinës, Prizrenit, Podujevës, Kaçanikut, Kamenicës dhe Gjilanit.
Në Prishtinë, kandidati i VV-së Shpend Ahmeti prin 43.49 % të votave, ndaj Arban Abrashit të LDK-së i cili ka marrë 35,87 % të votave, shkruan Telegrafi.
VV prin edhe në Kamenicë me kandidatin e saj, Qëndron Kastratin i cili ka marrë 34,22% të votave, ku do të garojë me Shaip Surdullin e LDK-së me 28,04% të votave.
VV është renditur e dyta në Prizren, Podujevë e Kaçanik.
Në ndërkohë, garë e ngushtë po zhvillohet edhe në Vushtrri për vendin e dytë në mes të LDK-së dhe Vetëvendosje.
Në Vushtrri, Ferit Idrizi nga PDK-ja ka 33.63 %, ndërsa gara po zhvillohet për vendin e dytë ndërmjet Besim Muzaqit nga VV me 24.94 si dhe Xhafer Tahirit nga LDK-ja me 25.63 % të votave. Në Vushtrri janë numëruar 86.32 % e votave. /Telegrafi/