Telegrafi

LVV i reagon MKRS-së për Stadiumin Kombëtar

Deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci, ka reaguar në lidhje me debatin për vendin e stadiumit të ri që do të ndërtohet.  

Sipas tij, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk po e thotë të vërtetën rreth stadiumit, duke treguar edhe pse ishte ndërruar vendi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk po e thotë të vërtetën rreth Stadiumit. Qeveria në 2017, ka marrë vendim politik dhe elektoral në prag të Zgjedhjeve Lokale 2017, për shkak të frikës së humbjes në Drenas të PDK’së ajo kishte kthyer përdorimin e Stadiumit si karrem për vota, duke e ndërruar lokacionin nga Prishtina në Drenas”.

“Shpronësimet që përmenden si arsyetim në Bërnicë, janë pallavra sepse masa që do të shpronësohej ishte minimale sepse pjesa dërrmuese e tokës, ishte publike”.

“Koncepti i tërësishëm i projektit, është shkatërruar nga Vendimi i Qeverisë në 2017 duke prolonguar ndërtimin e stadiumit”.

“MKRS thotë se projekti i zhvendosur në Drenas, pas zhvendosjes, i është bërë fizibiliteti. Siç duket udhëheqja e MKRS-së as nuk e kupton fjalën fizibilitet. Si mundet që njëherë të përcaktosh lokacion pa analizë, e më pas të zhvillosh fizibilitet pra analizë të faktorëve? Kjo është hajgare”.

“Stadiumi ishte pjesë esenciale e një projekti madhor siç është kompleksi i Qendrës Nacionale për Sport që planifikohej të ndërtohej në Bërrnicë. Tani i tërë funksioni, koncepti dhe qëndrueshmëria e një projekti kaq madhor ndikohet negativisht sepse Qendra Nacionale Sportive, ku do të ndërtohej Stadiumi, Palestra me 4000 ulëse, qendrat stervitore, Pishina Olimpike, fushat e tenisit etj, i është hequr Stadiumi si pjesë themelore e projektit. Pra, e keni shkatërruar projektin, e keni vonuar ndërtimin e Stadiumit vetëm pse ju gjithmonë me projektet madhore të këtij vendi, keni bërë biznes financiar dhe politik (për vota)”, ka shkruar Bajqinovci. /Telegrafi/