Telegrafi

VV: Qeveria pa program të qartë të zhvillimit ekonomik

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria nuk ka një program qeverisës të qartë ekonomik dhe e tëra që iu është ofruar qytetarëve të Kosovës janë vetëm fjalime të mbajtura deri më tani nga kabineti qeveritar dhe asgjë përmbajtjesore.

Këto vlerësime i bëri Vetëvendosje gjatë një konference për media në të cilën udhëheqësit e saj kritikuan programin qeverisës si të mangët dhe me fokusim të vetëm në infrastrukturë duke lënë anash sektorët tjerë.

Visar Ymeri, kryetari i sapo zgjedhur i këtij subjekti politik ka thënë se në program qeverisës shihet qartë se mungon një në mënyrë që ta rrisim ekonominë e Kosovës nga kjo gjendje në të cilën është.

Ymeri tha se është thënë se do të ketë hapje të tregut, do të ketë parime liberale për sa i përket tregtisë me jashtë dhe njëkohësisht do të ketë promovim të investimeve.

“Si Kosovë duhet ta trajtojmë në mënyrë shkencore jo vetëm dëshirat politike, por se cilat janë potenciale ekonomike të Kosovës, në nivel sektorësh edhe pastaj për brenda sektorësh”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, programi qeverisës është në shpërputhje të plotë me një buxhet të miratuar nga qeveria si dhe nga projektimet e parapara në atë buxhet për vitin 2016 dhe 2017.

Ndërsa Naim Hoxha nga Komiteti për Energjetikë në Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se në këtë plan qeverisës sërish thuhet se qytetarët e Kosovës do të kenë energji të mjaftueshme për nevojat e tyre ndërsa në praktikë po dëshmohet e kundërta.

Hoxha me këtë rast ka kritikuar çmimet e larta të energjisë elektrike për çka ka thënë se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë mundësi që të ndërhyjë në KEDS e cila tashmë është kompani private. /Telegrafi/