Lëvizja Vetëvendosje mbështet grevën e punëtorëve të Fabrikës IGK “Ballkan” në Therandë, të cilët tash e një vit po qëndrojnë të palëkundur në tendën që ka marrë emrin “Kalaja e qëndresës”, deri në realizimin e plotë të të gjitha kërkesave të tyre.
Në njëvjetorin e kësaj greve, në organizimin që është bërë në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi”, ishin të pranishëm qindra punëtorë të kësaj fabrike, të cilët i përshëndeti edhe aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albana Gashi.
Ajo shprehu përkrahjen e Lëvizjes për kërkesat e punëtorëve, si dhe theksoi faktin se privatizimi i kësaj fabrike ka qenë i jashtëligjshëm dhe në dëm të shtetit e punëtorëve, si shumë privatizime të tjera.
Ndryshe, u bë një vit i plotë që kur punëtorët e IGK “Ballkan” në Therandë kanë hyrë në grevë me kërkesat e tyre për 20 përqindëshin që ende nuk iu është ndarë pas privatizimit që i është bërë kësaj fabrike. /Telegrafi/