Site icon Telegrafi

VV: Ngritja e çmimit të rrymës, për përfitime të kompanive serbe

Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e vlerësuar se kjo rritje do të jetë përfitim për kompanitë që i shesin energji Kosovës.

“Dihet botërisht se këto kompani janë kryesisht nga Serbia, të pronësuara nga njerëz si Vuk Hamoviq e Damir Fazlliq, të cilët njihen ndryshe edhe si “mafia energjetike e Ballkanit”. Këta, natyrisht që i kanë filialet e tyre edhe në Kosovë të drejtuara nga njerëz të afërt me Qeverinë. Madje nuk ka si shpjegohet ndryshe neglizhenca absolute që i është bërë zhvillimit të sektorit të energjisë nga kjo qeveri për 6 vjet në pushtet”, thuhet në një komunikatë të VV-së.

Për VV-në shqyrtimi i jashtëzakonshëm erdhi si rrjedhojë e shpërthimit në Termocentralin Kosova A, shpërthim ky që ia pamundëson këtij termocentrali prodhimin e energjisë elektrike. “Qytetarët e Kosovës asnjëherë nuk u informuan për atë se si ndodhi shpërthimi dhe nga çfarë u shkaktua ai. Krejt çka kemi parë janë raportimet e kryeministrit në ikje Hashim Thaçit nga vendi i ngjarjes, i cili në atë ditë të fundit të fushatës zgjedhore shërbente sikur korrespondent i RTK-së nga KEK-u. Askush nuk u vu para përgjegjësisë për këtë shpërthim”, thuhet me tej në reagim.

Sipas VV-së, privatizimi i KEDS-it është arsyetuar, mes tjerash, edhe me rritje të efiçiencës në menaxhim si dhe me rritje të investimeve për reduktim të humbjeve. “Qartazi nevoja për ngritje të vazhdueshme të çmimit të energjisë po e dëshmon që efiçienca në menaxhim po bie. Për vite me radhë nuk ka pasur shtrenjtim të energjisë elektrike, deri në vitin 2012 në vigjilje të privatizimit kur çmimi u ngrit për 8.9 për qind dhe tash me këto dy shtrenjtimi të njëpasnjëshme. Prej se është privatizuar KEDS-i përveç që po e paguajmë më shtrenjtë energjinë elektrike edhe furnizimin po e kemi më të pakët. Ndërkohë që investimet kanë stagnuar. Pronari privat i KEDS nuk ka investuar asgjë në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, përveç disa matësve të energjisë të cilat edhe ashtu ishin blerë në kohën kur kjo ndërmarrje ka qenë në pronësi publike”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që ta ngrejë çmimin për të gjitha blloqet e tarifave të energjisë elektrike për 5.18 për qind. Kjo rritje vjen pas ngritjes së mëhershme të çmimit për 4.57 për qind, vendim ky që u arrit në korrik të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version