Telegrafi

VV në Vushtrri: KEDS kujdeset që të mbeteni “RRYP” tërë muajin!

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri organizoi sot aksionin simbolik “KEDS Kujdeset që të mbeteni RRYP tërë muajin”, përmes të cilit shprehu shqetësimet e qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë për çmimet e larta të faturave të rrymës.

“Varfëria në Kosovë po rritet çdo ditë, të ardhurat për familjet tona po zvogëlohen, ndërkaq çmimi i energjisë elektrike po vazhdon të rritet. Ky shpërpjesëtim në mes të të ardhurave dhe shpenzimeve për energjinë elektrike po bëhet i papërballueshëm për “xhepin” e qytetarit. Konkludimi ynë është se këto fatura janë të fyera dhe krejtësisht paushallë.
Ky nuk është shqetësim i vetëm për qytetarët e komunës sonë. Komuna e Vushtrrisë po vazhdon të përballet me reduktime të vazhdueshme të energjisë elektrike me orë të tëra, në disa fshatra/lagje deri në 6 orë në ditë.
Problem tjetër paraqet edhe infrastruktura e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike. Në shumë pjesë të qytetit mbingarkesa e kabllove në shtyllat elektrike po paraqet rrezik të pashmangshëm për qytetarët e komunës sonë”, thanë aktivistët e Vetëvendosjes, transmeton Veriu.info.

Po ashtu, u tha se kutitë në të cilat janë të vendosura orët digjitale paraqesin rrezik për fëmijët, për shkak se vendosja e ulët e tyre nëpër shtylla bënë që qasshmëria e fëmijëve në këto kuti të jetë fare e lehtë. “Prandaj, ne si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! i bëjmë thirrje ZRRE-së të shfuqizojë vendimin e datës 29 Gusht 2014, dhe njëkohësisht iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë të na bashkohen në Protestën e organizuar të Shtunën nga ora 14:00 në Prishtinë”, u tha në protestë nga përfaqësuesit e VV-së. /Telegrafi/