Telegrafi

VV: Në Rahovec, deputetët e LDK-së edhe nëpunës administrativ

“Nisur nga fakti se, bërthama e administratës publike është e përbërë nga shërbyesit civil, veprimtaria e të cilëve është e rregulluar me Ligjin për Shërbimin Civil në Kosovë dhe Ligjin për Administratën Publike, shqetësimi qëndron mbi atë se, në Kuvendin Komunal të Rahovecit janë tre delegatë të cilët janë duke e shkelur Ligjin për shërbimin civil të Kosovës nr. 149”, thuhet në një deklaratë të VV-së.

Sipas VV-së, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 kur e kanë fituar mandatin si delegatë, të njëjtit nuk e kanë pezulluar marrëdhënien e punës, siç është paraparë me dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil, neni 89 nënparagrafin 1.3.

Sipas VV-së në Rahovec, si shkelës të ligjit janë evidentuar: Avdullah Kryeziu, udhëheqës divizioni në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe njëherazi delegat i LDK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit; Burim Krasniqi, ekspert në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe njëherazi delegat i LDK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit dhe Labinot Berisha zyrtar për mundësi të barabarta në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe njëherazi delegat në Kuvendin Komunal të Rahovecit.

Vetëvendosje kërkoi që në rend të parë Ministria e Pushtetit Lokal, e cila sipas legjislacionit në fuqi është autoriteti mbikëqyrës dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, që ka kompetencë ekskluzive për konstatimin e konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartpërmendur dhe rievidentimin e të gjithë delegatëve, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore, në mënyrë që të vihet ligjshmëria. /Telegrafi/